Shqipëria do të luajë ndaj Andorrës në orën 20:45, takim i vlefshëm për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Përballje shumë e rëndësishme për kuqezinjtë, të cilët janë të “dënuar” vetëm për 3 pikët.
Trajneri i njohur shqiptar, Shpëtim Duro ka analizuar për “Sport Neës” këtë përballje. Duro thekson se Sylvinho pavarësisht se nuk erdhi me një CV të pasur, sërish te Shqipëria ka bërë mirë, pasi shkoi në Europian si dhe është afër “Play-Off” të Kupës së Botës.
Ndër të tjera ka nënvizur se ndaj Andorrës nuk do të ketë tolerime dhe ekipi duhet të jetë i fokusuar për fitoren 100%.
“Unë edhe kur fitoj, kur jam në kampionat, nuk gëzoj shumë se të pret ndeshja tjetër. U them gjithmonë futbollistëve mos u gëzoni, ajo mbaroi, është situatë tjetër. Entuziazmi është i jashtëzakonshëm për atë që ka bërë ekipi deri tani duhet të komplimentojmë të gjitha strukturat. Por me një gabim sot do të fillojnë kritikat, ky është futbolli. Fitorja sot nuk është 100% se jemi me sytë edhe nga ndeshja e Anglisë se besoj do fitojë se janë skuadra të niveleve të lartë, nuk mendoj se ka tolerime. Por nuk duhet ta mbajmë mendjen të Anglia, të përqendrohem te ndeshja jonë dhe pastaj të shohim.
Edhe unë jam dakord për trajnerin, deri tani është i suksesshëm, edhe pse nuk erdhëm me ndonjë CV, te Shqipëria të them të drejtën ka bërë mirë, shkoi në Europian, shkoi afër play-off. Situata ndryshojnë dita-ditës. Presim deri në përfundimin e kampionatit.
Sa i përket ndeshjes, njëra nuk i ngjason tjetrës, interpretohet ndryshe këtu e atje me Andorrën, është ndryshe me Anglinë. Kështu që shpresojmë të qetësohemi e me goleadë apo jo, unë e shoh të mbyllur. E rëndësishme është të fitojmë sot. Është edhe plani psikologjik, se është ndeshje vendimtare, kjo është për play-off. Kur shkoi Anglia ishte edhe me komode, kurse ne e kemi për jetë a vdekje këtë ndeshje. E shoh ndeshje të vështirë por kam besim te skuadra që do e zgjidhë për ta fituar”, ka theksuar trajneri kryeqytetas.
