Jemi në javët më vendimtare të Kombëtares shqiptare, e cila përpara se t’i drejtohet miqësoreve të qershorit të cilat do t’i luajë përballë Izraelit dhe Luksemburgut, më 3 dhe 6 qershor, do të duhet të saktësojë fatin e stolit, pasi kontrata e Sylvinhos është drejt skadencës.
Megjithatë, pavarësisht se në tryezë mungon oferta për konfirmimin e tij në pankinë, tekniku brazilian ka zgjedhur që të fokusohet totalisht tek emrat e rinj që mund të rrisin cilësinë e skuadrës kombëtare e ku testet miqësore do të shërbenin në masë për të provuar profile të reja.
Bëhet fjalë për portierin e talentuar, Klintman Lilo i cili aktivizohet me klubin e OFI Kretës në Superligën greke e që paraqitjet e tij kanë lënë të impresionuar pikërisht Sylvinhon.
Mediumi “Sports 24” raporton se ekziston mundësia që trajneri i Shqipërisë t’i zgjasë ftesën për ta bërë pjesë të grumbullimeve për këto dy përballje.
Ende nuk ka një konfirmim konkret, ndërsa gjithçka do të zbulohet në javët në vazhdim, kur dhe e ardhmja e Sylvinhos të qartësohet.
