
Enea Mihaj ishte një nga lojtarët e ftuar nga trajneri Sylvinho në Kombëtaren shqiptare, listë e cila është “projektuar” për Euro 2024.
Qendërmbrojtësi 25-vjeçar ka zhvilluar një sezon pozitiv në Portugali, aty ku aktivizohet me skuadrën e Famaliçao. Mihaj ka qenë një nga titullarët absolut të ekipit, duke hequr vetëm ndeshjet kur ka munguar për kartonë apo ndonjë problem fizik.
18 ndeshje me fanellën e Famaliçao këtë sezon, ku në të 18-at ka qenë titullar kanë bërë që futbollisti të fitojë besimin e Sylvinhos, me këtë të fundit që i bëri ftesën e “jetës”, me Mihajn që për herë të parë në karrierën e tij merr pjesë në një kompeticion të tillë.
Por nuk është vetëm fanella e titullarit në Portugali që ka bindur Sylvinhon, pasi në 4 prej ndeshjeve, Mihaj ka kontribuar që porta e ekipit të tij të jetë e paprekur. Madje statistikat në aspektin mbrojtës janë mjaft pozitive.
Me rreth 4 rikuperime topash në ndeshje, po ashtu edhe 4 spastrime të topit në zonë. Gjithashtu Mihaj është një nga mbrojtësit që është dribluar më së pakti, me një mesatare 0.4 për ndeshje, duke qenë një “mur” i vërtetë në repartin difensiv.
Pritet të shihet nëse besimi i Sylvinhos e “kalon cakun”, për t’i besuar 25-vjeçarit edhe një fanellë titullari në Euro 2024, ku “lufta” është e ashpër mes Mihajt, Ismajlin, Ajetit dhe Kumbullës, pa futur këtu kapitenin Gjimshiti që tashmë e ka vërtetuar që është pika kyçe e kuqezinjve dhe jo vetëm.