
Myrto Uzuni ishte një nga autorët e golave në fitoren e Kombëtares shqiptare. Sulmuesi gjeti rrugën e rrjetës në minutat shtesë të sfidës, ku kuqezinjtë triumfuan 3-0 ndaj Andorras.
Mjaft i lumtur dhe i gëzuar për golin e fitoren ishte Uzuni. Beratasi theksoi se ishte një fitore mjaft e rëndësishme dhe se golin kishte kohë që e priste.
“Ka qenë një fitore shumë e rëndësishme pasi të gjithë e dimë që kundërshtari nuk është Anglia, pasi i dimë kualitet e tyre, por edhe tonat. Të gjithë e dimë që ndeshja jonë për të fituar ishte kundër Andorrës, dhamë maksimumin, jam shumë i lumtur për 3 pikët dhe vazhdojmë përpara.
Problemi i vetëm është që kur ti je më i mirë në letër, duhet ta demonstrosh në lojë, besoj që çunat sot hynë shumë mirë në fushën e lojës, pa bërë diferenca që Andorra është një ekip më i vogël dhe mendoj që ky ishte çelësi i suksesit.
Të them të drejtën jam shumë i lumtur për golin pasi ka shumë kohë që e prisja, falenderoj të gjithë tifozët për mbështetjen e madhe që më kanë dhënë deri tani dhe mendoj se besimi rikthehet te unë dhe të shënoj sa më shumë gola siç bëja dhe me klubin”, ka deklaruar beratasi.