Një dramë e vërtetë ka rezultuar finalja e “play out”-it mes Barit dhe Sudtirolit. Bari i sulmuesit shqiptar Marvin Çuni ka rënë zyrtarisht në Serie C, pasi skuadra e tij nuk ka shkuar më shumë se dy barazime pa gola ndaj Sudtirol, ku aktivizohen dy futbollistët e tjerë shqiptarë si Frederik Veseli dhe Silvio Merkaj.
Ekipi i drejtuar nga Fabrizio Castori siguroi mbijetesën falë renditjes më të mirë në sezonin e rregullt, ku vetëm një pikë diferencë në tabelë rezultoi vendimtare në fund. Dy sfidat prodhuan tension dhe emocione të shumta, por asnjë gol, duke vulosur fatin e Barit.
Ky është një zhgënjim i madh për klubin italian, që sezonin e ardhshëm do të garojë në kategorinë e tretë të futbollit italian. Nga ana tjetër, mbrëmja ishte festive për Veselin dhe Merkajn, të cilët festuan mbijetesën me Sudtirolin.
Për Marvin Çunin, aventura te Bari duket se mbyllet me zhgënjim. Sulmuesi shqiptar, i huazuar nga Rubin Kazan, pritet të rikthehet te klubi rus në përfundim të sezonit.
