Ragip Xhaka, babai i dy futbollistëve të shquar shqiptar, Granit e Taulant Xhaka, ka shkruar i emocionuar për një arritje të djalit të tij të madh, Taulantit, i cili ka marrë licencën nga FSHF për "Trajner Futbolli".
"Krenar për birin tim, Taulantin! Sot, ai ka arritur një tjetër sukses në rrugëtimin e tij profesional, duke marrë Licencën FIFA B për trajner futbolli.
Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri — nga lojtari që gjithmonë dha zemrën në fushë, tek trajneri që do të frymëzojë brezat e rinj! Urime Taulant Xhaka! Krenar për ty, bir", shkruan Ragip Xhaka, babai i Taulant Xhakës.
Taulant Xhaka vjen nga një familje patriotike nga Prishtina e Kosovës e ku për shkak të luftës me Serbinë u desh të emigronin në Zvicër ku edhe sot jeton me familjen e tij. Në Maj 2025, ai njoftoi tërheqjen nga futbolli i luajtur, pas qindra ndeshjeve.
Mesfushori ia kushtoi të gjithë karrierën e tij Basel-it në Zvicër, përveç dy sezoneve si i huazuar te Grasshoper. Taulant Xhaka luajti edhe për fanellën e Shqipërisë për 31 ndeshje, ku shënoi një gol, atë ndaj Izraelit në Shtator 2018. Mesfushori njoftoi tërheqjen nga Kombëtarja në vitin 2021.
