Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

“Në Shtëpinë e Futbollit”/ Përgatitjet për ndeshjen ndaj Polonisë, Kombëtarja U-21, vajzat & java e 25-të e “Abissnet Superiore”

Shkruar nga NEWSPORT
“Në Shtëpinë e Futbollit”/ Përgatitjet për
Kristo Thoma, Florian Riza, Lenida Halilaj dhe Alban Bushi

Në FSHF TV u transmetua live emisioni i 19-të i “Në Shtëpinë e Futbollit”, nën moderimin e Lenida Halilaj. Të ftuar në studio ishin trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, dhe gazetari i RTSH, Kristo Thoma.

Pjesa e parë e emisionit iu dedikua përgatitjeve të Kombëtares shqiptare për ndeshjen e play off-it ndaj Polonisë. U diskutua mbi punën e stafit teknik, gjendjen e grupit dhe paraqitjet e lojtarëve kuqezi në arenën ndërkombëtare.

Alban Bushi foli gjithashtu për Kombëtaren U-21 dhe përgatitjet në kuadër të Kampionatit Europian U-21 2027, ku Shqipëria është kualifikuar automatikisht në finale si vend organizator. Trajneri i U-21 ndau detaje mbi planifikimin, ndjekjen e lojtarëve dhe ndërtimin e një skuadre konkurruese për këtë event madhor.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Kombëtares së vajzave, që ka nisur përgatitjet për edicionin e ri kualifikues të Botërorit “Brazil 2027”. Shqipëria do të luajë dy ndeshjet e para ndaj Malit të Zi më 3 mars, ora 14:00, dhe ndaj Çekisë më 7 mars në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, ora 18:00.

Në një lidhje live, trajneri i Kombëtares së vajzave, Armir Grima, foli për gjendjen e skuadrës, ecurinë e përgatitjeve dhe vlerësimin e kundërshtarëve të grupit, duke shprehur besim për një paraqitje dinjitoze në ndeshjet e para kualifikuese.

Pjesa e dytë e emisionit u fokusua te java e 25-të e kampionatit “Abissnet Superiore”. Pas shtatë fitoresh radhazi, Vllaznia u ndal nga Bylisi, ndërsa Egnatia dhe AF Elbasani, pas fitoreve të arritura këtë javë, shkurtuan diferencën me kryesuesit.

Gara për vendin e katërt që të dërgon në Final Four është bërë edhe më interesante, pasi Partizani ka barazuar në renditje Dinamo City-n, që nuk njeh fitore në shtatë javët e fundit. Menjëherë pas tyre renditet Teuta, me tre pikë më pak. Ndërkohë, lufta për mbijetesë mbetet e hapur, me Bylisin që mori tri pikë të arta, ndërsa Flamurtari, Tirana dhe Vora u mposhtën këtë javë.

Emisioni u mbyll me komentet për raundin e dytë të kualifikueseve të Europianit U-17 për vajza, ku FSHF do të organizojë ndeshjet e raundit B6, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Vajzat do të luajnë nesër ndeshjen e parë ndaj Andorrës në “Shtëpinë e Futbollit”, në orën 14:00. Ndeshja transmetohet live në FSHF TV.

Poll

Lexo gjithashtu