Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

Mbahet Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e SHRF Korçë 2026, këto janë vendimet që u morën

Shkruar nga NEWSPORT
Mbahet Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e SHRF Korçë 2026,
SHRF Korçë

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Korçë zhvilloi sot punimet, ku u morën vendime të rëndësishme për aktivitetet futbollistike që organizon kjo shoqatë.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin të tetë anëtarët e shoqatës, të përfaqësuar nga 12 delegatë, të cilët diskutuan pikat e përcaktuara në rendin e ditës, që kishin të bënin me raportin e aktivitetit të shoqatës, miratimin e pasqyrave financiare, miratimin e buxhetit për vitin 2026, zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRF Korçë në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, si edhe propozimin e kandidaturave për President dhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Korçë, z. Ilirjan Përmeti, bëri një bilanc të detajuar të punës gjatë vitit të kaluar, duke theksuar rritjen e ndjeshme të numrit të ekipeve dhe futbollistëve, zhvillimin e vazhdueshëm të kampionateve për të gjitha grupmoshat, organizimin e aktiviteteve dhe turneve rajonale, si edhe përfshirjen e projekteve të FSHF-së, si “Playmaker”. Ai nënvizoi rëndësinë e formimit të trajnerëve, mbështetjes së futbollit të vajzave dhe përfaqësueseve rajonale, ndërsa si objektiva kryesore për katërvjeçarin e ardhshëm përmendi rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në futboll dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në bashkëpunim me FSHF-në dhe pushtetin vendor.

Me anë të votimit të anëtarëve në Asamble u miratuan raporti i aktivitetit të shoqatës, pasqyrat financiare dhe buxheti për vitin 2026, si edhe delegatët që do të përfaqësojnë Shoqatën Rajonale të Futbollit Korçë në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së. Delegatët e përzgjedhur me votat e anëtarësisë janë z. Ilirjan Përmeti dhe z. Roland Shkëlqimi.

Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Korçë vendosi unanimisht të propozojë z. Armand Duka si kandidat për President të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së u propozua avokati dhe anëtari aktual i Komitetit Ekzekutiv, z. Envi Hicka, një ekspert i njohur në fushën juridike.

Poll

Lexo gjithashtu