Kombëtarja shqiptare U-21 ka vijuar përgatitjet në Moldavi, në kuadër të ndeshjes miqësore që do të luhet të enjten ndaj Moldavisë U-21. Ditën e sotme, kuqezinjtë kanë zhvilluar dy seanca stërvitore në qendrën stërvitore të Kombëtares moldave në Vadul lui Vodă, një paradite dhe një pasdite.
Në stërvitje mori pjesë i gjithë grupi, teksa me skuadrën është bashkuar edhe Elmedin Rama, i cili mbërriti në grumbullim mbrëmjen e kaluar.
Seancat e sotme u fokusua te aspekti fizik dhe përgatitja taktike për miqësoren ndaj Moldavisë. Atmosfera në grup është pozitive dhe ekipi po punon me intensitet për të arritur formën optimale për ndeshjen e së enjtes.
Kombëtarja U-21 do të zhvillojë nesër seancën e fundit stërvitore përpara testit miqësor me Moldavinë, që do të luhet të enjten në orën 12:00, në Vadul lui Vodă.
