Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

“Kombëtares i them që ta shijojë play-off e Botërorit”, presidenti Duka tregon rritjen e FSHF-së: Nga 200 mijë euro, sot kemi 30 milionë euro buxhet vjetor

Shkruar nga NEWSPORT
“Kombëtares i them që ta shijojë play-off e
Armand Duka

Momentalisht në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, po mbahet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore E FSHF, 2026. Gjatë kësaj Asambleje, ka mbajtur fjalën e tij edhe kreu i Federatës, Armand Duka. Ky i fundit është ndalur të flasë për rrugëtimin e Kombëtares shqiptare drejt Botërorit 2026, por edhe për rritjen e FSHF-së ndër vite, përsa i përket aspektit ekonomik.  

“Sot kemi shansin e madh në historinë tonë, për të shkuar në finalen e një Kupe Bote. Një ekip që ka treguar që di të përballet me presionin, di të garojë me nivele të larta dhe di të përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet. Kam shumë besim dhe kemi mundësi reale të arrijmë ne Botëror. Kemi një ekip të madh, jo vetëm 11 që do të jenë në fushë por të gjithë shqiptarët që do ta mbështesin me zemër. Dua t’i bëj thirrje Kombëtares në emër të çdo shqiptari, do të mbeteni heronjtë tanë sido të jetë rezultati, shijojeni “play-off”. Asnjë presion s’duhet të rëndojë mbi ju, s’kemi asgjë për të humbur. Kemi shumë uri, jo vetëm uri për sukses por edhe nevojë që kalon kufijtë e futbollit. Kemi krijuar besueshmëri dhe respekt, do të rrisim ambiciet tona për Europian dhe Botëror në të ardhmen.

Sot mund të themi me përgjegjësi të plotë se FSHF gëzon situatë financiare të plotë. Nga biletaria, sponsorët, programet e FIFA-s dhe UEFA-s dhe së fundmi nga buxheti i shtetit. Asgjë nuk ka ardhur rastësisht, është vizion afatgjatë nga vendimmarrjet. Nga rreth 200 mijë euro buxhet në fillimet tona, në balloret e stadiumit, sot kemi arritur deri në 30 milionë euro në buxhet vjetor. Kemi kthyer FSHF në një institucion financiar me respekt dhe vizion zhvillimi. 700 mijë euro shkojnë për shoqatat rajonale, 850 mijë euro për uniforma ime dhe 140 mijë euro për “topi yt” dhe disa të tjera. Janë investime për komunitetet lokale, për të hequr barrën financiare. Për herë të parë në këtë vit, të ndajmë 3 milionë euro për klubet e Abissnet Superiores dhe Kategorisë së Parë. Sot, FSHF renditet në vendin e parë, me diferencë të konsiderueshme në krahasim me Federatat homologe. Në fillim FSHF nuk kishte asete, e nisëm pothuajse nga 0. Sot flasim për 90 milionë euro pasuri, zyra, stadium, fusha. Kjo nuk është vetëm një shifër financiare, por një kapital i krijuar. Është transformim real. Nga pasiguria, në një institucion me bazë të fortë.

Kjo nuk është thjesht një shifër financiare; është kapital i krijuar për brezat e ardhshëm dhe një garanci për stabilitetin institucional të futbollit shqiptar.

Ky është transformimi real: nga mungesa e aseteve dhe pasiguria strukturore, në një federatë me bazë të fortë pronësie, me autonomi financiare dhe me perspektivë të qëndrueshme zhvillimi.

Pak javë më parë prezantuam strategjinë “Vision to Victory 2026–2030” — një dokument i ndërtuar mbi objektiva të matshme, tregues performance dhe afate konkrete, i lidhur drejtpërdrejt me realitetin e futbollit shqiptar.

Kjo strategji nuk është një deklaratë qëllimesh. Është një angazhim i qartë për katër vitet e ardhshme të futbollit shqiptar.

Ajo vendos standarde për:
më shumë cilësi në garë,
më shumë transparencë dhe llogaridhënie në vendimmarrje,
më shumë përfshirje ,
dhe mbi të gjitha, më shumë qëndrueshmëri financiare.

“Vision to Victory” është udhërrëfyesi ynë konkret për mënyrën se si do të drejtohet, administrohet dhe zhvillohet futbolli shqiptar deri në vitin 2030.

Dhe kjo strategji nuk ndërtohet mbi dëshira, por mbi realitet.

Sot, futbolli shqiptar — pavarësisht se mbetet ende i brishtë në disa aspekte strukturore, ai gjeneron një impakt ekonomik prej rreth 100 milionë euro në vit në ekonominë shqiptare: përmes punësimit, turizmit sportiv, konsumit, medias, shërbimeve dhe investimeve.

Megjithatë, nga ky impakt, futbolli ka marrë mbrapsht vetëm rreth 0.2%.

Ky është një disproporcion i madh dhe i qartë.

Nëse duam që futbolli të vazhdojë të kontribuojë në ekonomi, në punësim dhe në imazhin e vendit, atëherë ai duhet të trajtohet si sektor me potencial zhvillimi, jo si aktivitet dytësor.

Strategjia jonë synon pikërisht këtë: ta kthejë futbollin nga një pasion i madh kombëtar në një industri të qëndrueshme, transparente dhe me ndikim afatgjatë.

Të dashur anëtarë,

Puna dhe serioziteti juaj kanë rritur ndjeshëm besimin e komunitetit të biznesit ndaj futbollit shqiptar. Ky besim nuk ndërtohet brenda natës; ai është rezultat i stabilitetit, transparencës dhe reputacionit që kemi krijuar së bashku.

Në emrin tuaj, dua të falënderoj partnerët tanë tradicionalë: Vodafone, Sigal Insurance Group, Macron, Credins Bank, Uji Tepelenë, Western Union, Air Albania, Abissnet dhe Karrota.

Një falënderim i veçantë edhe për partnerët që na janë bashkuar gjatë vitit të fundit: Birra Vatan, Zenith Travel, Samsonite dhe Sixtus.

Mbështetja e tyre nuk është thjesht sponsorizim; është investim në zhvillimin e një ekosistemi sportiv që po rritet dhe po konsolidohet çdo ditë.

Dua të falënderoj Qeverinë Shqiptare dhe veçanërisht Ministrin e Kulturës Rinise dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, i cili e ka nisur detyrën me një angazhim serioz ndaj futbollit, duke na mbështetur me buxhete për organizimin e Kampionateve Europiane U-17 dhe U-21, si dhe përkushtim maksimal për ndryshimet ligjore në ndihmë të sportit, të cilat shpresojmë t’i finalizojmë sa më shpejt.

Falënderime të veçanta për UEFA dhe FIFA për mbështetjen e vazhdueshme me projekte zhvillimi, trajnime dhe asistencë teknike, si dhe për besimin që kanë treguar ndaj Federatës sonë në organizimin e aktiviteteve madhore.

Të dashur anëtarë të Asamblesë,
Futbolli shqiptar ka bërë hapa të mëdhenj, por nuk ka arritur ende aty ku ne duam. Faza e rritjes së shpejtë duhet të pasohet nga faza e konsolidimit.
Vitet që vijnë kërkojnë më shumë bashkëpunim dhe më pak konflikt artificial; më shumë profesionalizëm dhe më pak improvizim. Kërkojnë disiplinë, standard dhe përgjegjësi.
Futbolli nuk është pronë. Është detyrim”, është shprehur Duka.

Poll

Lexo gjithashtu