Fidel Ylli, kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar ishte prezent mbrëmjen e djeshme në ceremoninë e Topit të Artë, një mbrëmje ku Federata Shqiptare e Futbollit zgjidhte më të mirët e vitit 2024, në një ceremoni, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i qeverisë Edi Rama shoqëruar nga bashkëshortja Linda dhe djali i tyre Zaho.
Duket se “gjakrat” mes KOKSH dhe FSHF kanë rënë, pavarësisht se jo shumë kohë më parë, FSHF arriti të fitojë një gjyq dhe në CAS në Lozanë, ku kishte kërkuar anulimin e kreut të KOKSH për zgjedhjen në procedurë jo staturore, sipas pretendimit të FSHF.
Në mesin e qershorit të vitit të kaluar, gjykata e Arbitrazhit për Sport mori vendim në favor të FSHF duke përmbysur vendimet e marra gjatë asamblesë së jashtëzakonshme të KOKSH mbajtur në janar 2021, madje ka rrëzuar edhe statutin e ri miratuar në atë kohë. CAS konstatoi se KOKSH nuk njoftoi sic duhet FSHF për asamblenë dhe lejoi votimin e personave që nuk ishin anëtarë.
Jo vetëm kaq, por me vendimin e CAS KOKSH u urdhërua të paguajë 4000 franga zvicerane për shpenzimet ligjore të FSHF dhe të mbulojë 90% të kostove të arbitrazhit, duke reflektuar rëndësinë e shkeljeve proceduriale.
Por që pas atij vendimi, nuk ka pasur asnjë reagi nga ana e KOKSH. Ajo që duket qartë është se palët siç duket janë tërhequr nga pozicionet e tyre. Ftesa e FSHF për presidentin e KOKSH në ceremonë kryesore të vitit për këtë federatë dhe prezenca aty e Fidel Yllit, duket se ka krijuar një “situatë të tejkaluar”. Megjithatë, asnjëra nga palët nuk është shprehur për këtë konflikt.