
Shqipëria do të jetë nesër qendra e futbollit europian për të rinjtë! Në “Shtëpinë e Futbollit”, nesër në ora 19:00, do të hidhet shorti i finaleve të Kampionatit Europian U-17, një ngjarje historike për vendin tonë. Ky turne madhor që do të zhvillohet në Shqipëri nga 19 maji deri më 1 qershor, do të mirëpresë tetë ekipet kombëtare U-17 më të mira të Europës.
Shorti që do të hidhet në selinë e FSHF-së, do të transmetohet live edhe në UEFA.com, RTSH dhe në kanalin zyrtar të FSHF-së në YouTube. Në këtë event do të marrin pjesë zyrtarë të UEFA-s, përfaqësues të ekipeve pjesëmarrëse, ambasadorët e kampionatit, si edhe figura të rëndësishme të politikës, futbollit shqiptar dhe mediave.
Pas shortit, ku skuadrat do të njohin grupet dhe përballjet mes tyre, do të shtrohet edhe një darkë mirëseardhjeje nga FSHF. 8 ekipet finaliste të këtij edicioni që do të luftojnë për titullin kampion për vitin 2025 janë: Shqipëria, Gjermania, Franca, Portugalia, Çekia, Belgjika, Anglia dhe Italia.