Shqipëria e Vajzave U-17 mposhti 2-1 Izraelin në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan, e vlefshme për raundin e parë të kualifikueseve të Europianit 2025 për U-17. Për fitoren e vajzave "kuqezi" vendosën golat e shënuar nga Refjona Luari në minutën e 27-të dhe Aishe Sulejmani në të 96-tën, në fund të takimit.
Pjesa e parë nis e balancuar për të dyja ekipet. Vajzat kuqezi kalojnë në avantazh falë golit të realizuar nga Refjona Luari në minutën e 27-të, përmes një aksioni në krahun e djathtë.
Sulmuesja shfrytëzoi daljen jo të mirë të portieres kundërshtare, mori topin, e kontrolloi mirë, u fut në qendër dhe më pas goditi me të majtën në shtyllën e parë duke realizuar gol. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë e Kombëtares.
Në pjesën e dytë spikati paraqitja e portieres Anisa Krraba, e cila me performancën e saj të shkëlqyer shpëtoi Shqipërinë nga përmbysja e rezultatit. Izraelitet shënuan golin e barazimit në minutën e 3-të shtesë të pjesës së dytë, duke i çuar shifrat në 1-1. Goli i shënuar në minutën e 96-të nga Aisha Sulejmani i dha fitoren dhe tre pikët Shqipërisë.
Ndeshjet e Grupit B, të vlefshme për raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2025 u zhvilluan në Shqipëri në datat 30 tetor deri 5 nëntor. Shqipëria e mbylli në vendin e dytë me 3 pikë, ndërsa në krye të klasifikimit qëndron Kosova jonë me 4 pikë.
REZULTATI:
SHQIPËRIA - IZRAELI 2-1 (U-17 Vajza)
FORMACIONI:
Anisa Krraba (P), Erina Bajramaj, Albana Malaj, Marina Rushaj, Sara Mustafa, Egla Hoxha, Gelda Kadiolli (K), Samanta Hysa, Refjona Luari (27'), Aishe Sulejmani (96'), Amelia Reci, Trajnere: Cyme Lulaj