Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KOMBETARJA

Kombëtarja shqiptare e “pafat”, vajzat mposhten nga Qipro në sfidën e parë të “Play-Out”

Shkruar nga NEWSPORT
Kombëtarja shqiptare e “pafat”, vajzat mposhten nga Qipro
Kombetarja e vajzave

Shqipëria luajti pasditen e sotme ndeshjen e parë kundër Qipros, e vlefshme për fazën play-out të UEFA Nations League. Në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Antonis Papadopoulos”, vajzat kuqezi u mundën me rezultatin final 3-2.

Trajneri Armir Grima hodhi në fushë këtë formacion: Antigoni Hyska (GK), Arbiona Bajraktari, Sara Maliqi, Klea Hamonikaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Alma Hilaj, Megi Doçi (C), Qendresa Krasniqi, Mimoza Hamidi dhe Valentina Troka.

Takimi nuk nisi mirë për vajzat kuqezi, me përfaqësuesen qipriote që ishte më dominuese në minutat e para. Gjithçka ndryshoi pas minutës së 15-të, kur skuadra jonë nisi të afrohej më shumë drejt portës kundërshtare, duke krijuar disa raste të rrezikshme.

Në minutën e 23-të erdhi rasti më i artë për kuqezinjtë për të kaluar në avantazh. Megi Doçi udhëhoqi mirë topin, hyri në zonë dhe u përball me portieren, por tentativa e saj u ndal. Pas saj, tentoi edhe Troka, por portierja qipriote reagoi sërish saktë, duke shmangur golin.

Pas pak minutash, skuadra jonë fitoi një goditje dënimi pas një faulli pranë zonës. Megi Doçi mori përsipër ekzekutimin dhe me një goditje tokazi e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë Shqipërisë në minutën e 29-të.

Goli u dha zemër vajzave kuqezi, të cilat pak minuta më vonë dyfishuan rezultatin sërish me Doçin. Kapitenia kuqezi goditi nga një distancë rreth 40 metrash dhe me një ekzekutim të shkëlqyer, befasoi portieren qipriote, duke e çuar rezultatin në 2-0.

Në minutën e 43-të, Qipro ngushtoi diferencën me një gol nga distanca, ku portierja Hyska nuk mundi të reagojë në kohë. Vendaset barazuan shifrat në fundin e pjesës së parë.

Shqipëria ishte sërish pranë golit të tretë në minutat shtesë të pjesës së parë, por pa arritur të konkretizojë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-2.

Pjesa e dytë nisi mirë për skuadrën tonë, që kërkoi menjëherë golin e avantazhit. Doçi asistoi bukur për Hamidin, por tentativa nuk u konkretizua.

Në minutën e 63-të, Shqipëria pati një tjetër mundësi të artë. Krasniqi nisi një kundërsulm të shpejtë, duke i dhënë një pasim perfekt Trokës, e cila u gjend përballë portieres, por goditja e saj përfundoi jashtë.

Kuqezezat mbajtën kontrollin e lojës, duke e zhvendosur ndeshjen pothuajse tërësisht në gjysmëfushën qipriote dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm.

Megjithatë, kundër rrjedhës së lojës, Qipro arriti të shënojë në minutën e 83-të, duke kaluar sërish në epërsi me golin e tretë të takimit.

Ndeshja u mbyll me rezultatin 3-2 në favor të Qipros. Pavarësisht humbjes, vajzat kuqezi zhvilluan një ndeshje të mirë, krijuan shumë raste në pjesën e dytë, por u ndalën nga mungesa e saktësisë në finalizim.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e kthimit në “Air Albania” më 28 tetor, ora 18:00, ku do të vendoset nëse skuadra jonë do të vazhdojë rrugëtimin në Ligën B apo do të bjerë në Ligën C për edicionin e ardhshëm të Nations League.

Poll

Lexo gjithashtu