Ekipi Kombëtar U-21 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajin aktual, nëntor. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi do të luajnë dy sfida ndaj Moldavisë U-21. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se dy federatat kanë rënë dakord që të dyja këto ndeshje të luhen në Shqipëri në datat 15 dhe 18 nëntor.
Të dyja takimet do të luhen në stadiumin e Vorës, "Stadiumi Vora" teksa është fiksuar edhe ora se kur do të zhvillohen ndeshjet. Kuqezinjtë do të luajnë takimin e parë më 15 nëntor, në ora 14:00 në stadiumin e Vorës, në Marqinet aty ku luan Vora në Kategorinë e Parë dhe Adriatiku ndeshjet e Kategorisë së dytë. Më 18 nëntor, Shpresat e Bushit do të zhvillojnë edhe ndeshjen e dytë po në të njëjtën orar, orën 14:00 të mesditës.
Trajneri i ekipit kombëtar U-21, Alban Bushi do të ketë kështu mundësinë të provojë grupin që ka aktualisht në dispozicion, por edhe futbollistë të rinj që vijnë nga ekipet zinxhir të moshave e që mund të bëhen në vijim pjesë e Shqipërisë U-21 në kualifikueset e Europianit të ardhshëm.
Duke qenë se këto janë data zyrtare të FIFA-s, ekipi ynë Kombëtar U-21 zgjodhi t’i shfrytëzojë dhe të zhvillojë këto dy takime miqësore ndaj të njëjtit kundërshtar, Moldavisë.
KALENDARI:
Shqipëri U-21 – Moldavi U-21, 15 nëntor, ora 14:00
Shqipëri U-21 – Moldavi U-21, 18 nëntor, ora 14:00
IMPIANTI:
Stadiumi "Vora"