
Kombëtarja shqiptare ka nisur me humbje kualifikueset e Botërorit 2026. Kuqezinjtë e Sylvinhos janë mposhtur nga Anglia me rezultatin 2-0 në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Wembley”. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri Sylvinho.
“Anglia është një nga kombëtaret më të forta, kanë dy mbrojtësa qendre shumë të fortë. Kjo ishte vetëm ndeshja e parë. Nuk është shumë e lehtë të vish në Uembli dhe të fitosh, unë punoj për këtë gjë. Këtu luajnë lojtarët më të mirë të botës, është e vështirë. Jam shumë i lumtur dhe krenarë për gjithë lojtarët që futen në fushë. Nëse nuk shkon në fushë i organizuar, mund të pësosh edhe 5 gola.
Në pjesën e dytë luajtëm më mirë. Në momentin që u fut Broja bëri një punë të mirë. Aty mund të ishim afruar me barazimin, por shënuan golin e dytë dhe ne humbëm. Nëse nuk përgatit mirë ndeshje në 45 minutat e para, përfundon keq. Kishim vështirësi për t’i bërë presing kundërshtarit. Vetëm Uzuni mund të sulmojë hapësirat. Kemi gabuar në pasimin e parë për të dalë nga zona. Në momentin që del nga ky presing që bëjnë anglezët, mund të rrezikosh.
Nga krahu tjetër është një kundërshtar, një skuadër teknikisht fantastike, shumë shumë e fortë. Ishte e vështirë për mbrojtësit e krahut, Aliji po luan si qendre, jo krahu te Dinamo. Por te ne e ka bërë shpesh krahun, dua t’i bëj komplimente sepse ka bërë një ndeshje shumë të mirë. Edhe Balliu i cili ka ardhur pa luajtur shumë minuta, i duhej të përballonte Rashford”, tha Sylvinho.