Shqipëria do të përballet me Gjeorgjinë sonte në orën 20:45 në “Air Albania” për ndeshjen e dytë të Grupit B1 në Nations League.
Përgatitjet finale vijojnë deri në prag të sfidës dhe gjatë kësaj pasditeje, Kombëtarja shqiptare ka dorëzuar listën zyrtare e 23 lojtarët me të cilët duhet të paraqitet në stadium. Në grumbullimin e Sylvinhos ishin 24 futbollistë të ftuar dhe në këtë mënyrë, njëri prej tyre duhet të sakrifikohet.
Trajneri brazilian ka vendosur të lë në tribune edhe për këtë ndeshje Agim Zekën, një nga surprizat e bujshme të listës. Ashtu si për sfidën me Ukrainën edhe për këtë duel sulmuesi i Partizanit ishte në balotazh me një tjetër produkt të Superiores, Sebastjan Spahiut, por ky i fundit ka fituar sërish vendin si zëvendësues i Jasir Asanit.