
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë këtë të shtunë sfidën e parë të Nations League. Kuqezinjtë do të përballen me Ukrainën, sfidë e cila do të zhvillohet në Pragë, duke nisur nga ora 20:45.
Mungesa e Berat Gjimshitit ka bërë që Sylvinho të jetë i detyruar për të ndryshuar mbrojtjen. Por, sigurisht vetëm dyshja e qendrës është ajo që do të pësojë ndryshime. Kumbulla dhe Ismajli pritet ta nisin nga minuta e parë. Ndërsa, në portë, Strakosha mesa duket ka marrë vendin e Berishës dhe do të jetë gardiani kryesor në Kombëtare.
Në krahun e djathtë të mbrojtjes pritet që titullar ta nisë Elseid Hysaj, me shkodranin që nuk po kalon një moment të mirë dhe te Lazio. Ndërsa në krahun e majtë, Mario Mitaj është i pazëvendësueshëm. Në mesfushë do të jetë treshja, Laçi – Ramadani – Asllani, duke krijuar një repart mjaft teknik dhe të fortë fizikisht.
Në krahun e majtë të sulmit pritet të jetë Nedim Bajrami, ndërsa në të djathtin, Jasir Asani. Maja e sulmit mund t’i besoj Rey Manajt, me sulmuesin e Sivasspor që është kthyer në të preferuarin e Sylvinhos. Pra, vendosja e ekipit do të jetë 4-3-3, skemë të cilën tekniku brazilian e ka përdorur dhe më parë.
FORMACIONI I MUNDSHËM:
SHQIPËRIA: Strakosha: Mitaj – Kumbulla – Ismajli – Hysaj: Ramadani – Asllani – Laçi: Bajrami – Manaj – Asani.