
Kombëtarja shqiptare del nesër në fushë përballë Andorrës për ndeshjen e dytë kualifikuese të Kupës së Botës. Në konferencën për shtyp ditën e sotme doli kapiteni i kuqezinjve, Berat Gjimshiti.
“Unë edhe ndeshjen ndaj Anglisë e cilësoj si mundësi, ne si ekip nuk e mendojmë që kualifikueset kanë nisur tani. Anglia është ekip botëror dhe luan gjithmonë të fitojë tituj. Nesër do jetë një ndeshje shumë e vështirë, të gjithë të jenë të përqendruar, sot nuk ka ndeshje të lehta dhe duhet të përqendrohemi.
Ata janë një skuadër që luajnë prej vitesh bashkë, vështirësitë do të jenë në nivelin fizik. Janë shumë të përgatitur dhe rrinë shumë poshtë në mbrojtje. Do përpiqemi t’i fusim në duele individuale me lojtarët tanë. Në futboll në çdo ndeshje ke presion, si me Anglinë që ishin ata favoritë, por nesër jemi ne favoritë.
Në ndeshjen që dolëm 2-2 me Andorrën isha në lojë, dy herë që krijuan raste shënuan. Siç e pamë dhe në video me tifozët, më pyetën për bileta dhe besoj se do merren masa. Jemi falenderues për ta, nuk shihen asnjëherë tifozë që bëjnë kaq shumë zhurmë për kombëtare, vetëm në klube. Kombëtarja është ndryshe, nuk je afër teje me atë që qëndron gjithë ditën, pak a shumë po. Unë shpresoj që të rikthehemi te fitorja, nuk është se jam unë këtu dhe do të fitojmë. Puna ime është të mos pësojmë gol.
Kemi folur me ekipin dhe trajnerin rreth humbjeve në Nations League dhe do të përpiqemi t’i rikuperojmë. Është shumë e vështirë, ndodh edhe nëpër klube që përballesh me dinamika të ndryshme. Lojtarët që janë me eksperiencë duhet t’i japin të rinjve besim.”, u shpreh Berat Gjimshiti.