
Pak ditë kanë mbetur nga nisja zyrtare e Euro 2024 në Gjermani. Më 14 Qershor çelet sipari i kompeticionit më të madh europian ku 32 kombëtaret më të mira do të garojnë për trofeun e madh.
Shqipëria është një prej tyre dhe më 15 qershor luajmë ndeshjen e parë në grup ndaj Italisë, në Dortmund në orën 21:00. E dyta përballje do të jetë ndaj Kroacisë në Hamburg në orën 15:00 dhe e fundit me Spanjën në Dusseldorf, në orën 21:00.
Kombëtarja ka zbarkuar në Gjermani, saktësisht Kaiseraut në Kamen, kampi bazë ku do të qëndrojë përgjatë përgatitjeve në Euro Gjermani 2024. FSHF ka publikuar gjithashtu edhe numrat që do të mbajnë veshur legjionarët gjatë Europianit.
Nuk ka shumë ndryshime pasi shumica i kanë ‘përvetësuar’ numrat e tyre si për shembull Asani, Gjimshiti, e shumë të tjerë. Medon Berisha do të pasojë 16-tën e Cikalleshit, ndërsa Arlind Ajetit i besohet 5-a e famshme e Lorik Canës, ish-kapitenit legjendar të Shqipërisë.
Këto numra në fakt u mbajtën edhe gjatë 2 miqësoreve me Lihtenshtejn e Azerbajxhan.