Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KOMBETARJA

EKSKLUZIVE/ “Policia na mbajti 2 orë në...”, prezent në incidentet e Beogradit, Emiliano Vila optimist: Të shtunën fitojmë 0-1!

Shkruar nga Nikoll Rajta
EKSKLUZIVE/ “Policia na mbajti 2 orë në...”, prezent
Emiljano Vila

Kombëtarja shqiptare do të luajë të shtunën e 11 tetorit në transfertën e Serbisë, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin e Leskovacit do të nisë në orën 21:00.

Një duel që pritet me shumë “ankth”, jo vetëm për fitoren e domosdoshme që u duhet kuqezinjve, por edhe për historinë e së shkuarës me Serbinë, si ajo sfidë e ndërprerë e 14 tetorit të vitit 2014.

Pikërisht për atë sfidë, por edhe për Kombëtaren e sotme ka folur Emiliano Vila, një nga lojtarët që ka qenë prezent në Beograd, kur droni i ngrit lart në qiell. Në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, sulmuesi që tani luan me Teutën në Superiore, tregon se policia serbe mendonte se telekomanda ishte në çantën e ndonjërit prej lojtarëve, apo stafit të Kombëtares.

Ndër të tjera, Emiliano Vila është shprehur shumë optimist për duelin e së shtunës, duke parashikuar një fitore 0-1 të kuqeznive.

Keni qenë pjesë e ekipit në Beograd, në ndeshjen e vitit 2014. Çfarë ndjeni kur kujtoni atë ndeshje?

Një ndeshje që nuk harrohet kurrë. Normal që mendja do të më shkojë direkt tek incidenti që ndodhi. Ajo ndeshjet do të mbahet mend gjatë, pasi ishte e pabesueshme që një sfidë futbolli përfundoi në një gjë të tillë, eskaloi tepër.

Çfarë janë disa ndodhi që nuk janë parë e dëgjuar në lidhje me incidentet e asaj ndeshje, ç’keni përjetuar në ato momente?

Do të thoja që, pasi ndeshja u ndërpre, u veshëm dhe çdo lojtar kalonte përmes kordonit të policisë, u morën masa të jashtëzakonshme menjëherë. Policia filloi të na kontrollonte çantat, kujtonin se mos e kishte ndonjë nga lojtarët apo stafi telekomandën e dronit që u ngrit. Kjo situatë zgjati për më shumë se dy orë dhe u detyruam të qëndronim gjatë në stadium.

Serbi – Shqipëri rikthehet përsëri, mendoni se kuqezinjtë kanë forcën për të fituar, apo emocionet dhe presioni mund të “ndikojnë” për keq?

Besoj se ne i kemi shanset tona për të fituar. Kemi krijuar një grup solid, ekip të mirë, lojtarë me ekspericnë të cilët po luajnë në ekipet elitare të Evropës. Kam besim që Shqipëria do të largohet me fitoren në “xhep” nga Leskovaci.

Mendoni se është më e fortë kjo Shqipëri, apo ajo e vitit 2014 në stadiumin e Beogradit?

Mendoj se janë dy ekipe të ndryshme. Edhe ajo e Gianni De Biasit ka qenë shumë e fortë, derisa shkuam në Evropian. Por sigurisht që edhe Kombëtarja e sotme ka lojtarë shumë të mirë, të cilët po bëjnë një punë të mirë edhe në ekipet ku aktivizohen.

Cilët lojtarë mendoni se janë pika e fortë e Kombëtares shqiptare?

Nuk do doja të thoja emra, për t’i veçuar nga të tjerët. Di të them që grupi është pika më e fortë e kësaj Kombëtareje. Nëse qëndron si grup, futesh në fushë si i tillë, rezultati pozitiv ka më shumë gjasa se të vijë, për mendimin tim.

Sylvinho apo De Biasi dhe pse?

Nuk di ç’të them për Sylvinhon. Me trajnerin brazilian unë nuk kam punuar kurrë, ndërsa me Gianni De Biasin, po. S’mund të bëj një krahasim, por di të them që edhe Sylvinho ka bërë një punë shumë të mirë me Kombëtaren kuqezi.

Edhe për mbyllje një parashikim për këtë ndeshje?

Kam përshtypjen që do të marrim 3 pikët. Unë mendoj se Shqipëria do ia dalë që të fitojë me shifrat 0-1 në Leskovac.

Poll

Lexo gjithashtu