Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje shumë të rëndësishme pas pak ditësh. Saktësisht ditën e enjte do të luajë në transfertë ndaj Andorrës, ndërsa 3 ditë më vonë do të presin në “Air Albania” skuadrën e Anglisë.
180 minuta shumë të rëndësishme dhe mjaft delikate për kuqezinjtë, të cilët do të tentojnë pikët maksimale për të realizuar “ëndrrën” amerikane. Pikërisht për këto duele, Sylvinho ditën e premte bëri publike listën e të grumbulluarve, listë që kishte dy rikthime të rëndësishme, Ardian Ismajli dhe Indrit Tuci.
Por përveç kësaj, ditën e sotme Kombëtarja nis zyrtarisht grumbullimin dhe do të nisë përgatitjet për takimin me Andorrën. Grumbullimi i Kombëtares do të bëhet në Barcelonë, kjo për shkak të afërsisë mes dy shteteve.
Kujtojmë se ndeshja Andorra – Shqipëri do të luhet të enjten, në “Estadi FAF Encamp”, në orën 20:45. Ndërkohë sfida e fundit e kuqezinjve në këto kualifikuese do të zhvillohet më 16 nëntor, ditën e dielë, në stadiumin “Air Albania”, ndaj Anglisë, në orën 18:00.
