
Kombëtarja shqiptare U-21 luajti pasditen e sotme ndeshjen e parë miqësore të shtatorit ndaj Gjermanisë U-21, në “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin 0-2. Trajneri Bushi e nisi sfidën me këtë formacion titullar: Aron Jukaj (GK), Feta Fetai (c), Zylyf Muca, Elton Fikaj, Ervin Bashi, Gabriel Ramaj, Burak Alili, Ermir Rashica, Etnik Brruti, Aidon Shehu, Enes Osmani. Pjesa e parë ishte e barabartë.
Rasti i parë i rrezikshëm erdhi në minutën e 9-të me Shehun, që provoi me një goditje, por u ndal nga portieri. Në vijim, Gjermania krijoi disa mundësi të mira, por Jukaj reagoi mjaft mirë. Në minutën e 39-të, Shqipëria ishte pranë golit me një goditje dënimi të fortë të Brrutit, por portieri kundërshtar devijoi në këndore (Brruti, “Lojtari i ndeshjes”, nota 7.4 sipas “SofaScore”).
Pjesa e parë u mbyll pa gola. Gjermania e nisi pjesën e dytë me 10 zëvendësime dhe kaloi në avantazh në minutën e 48-të me Ansah. Vetëm katër minuta më pas, Pejcinovic dyfishoi rezultatin. Në minutën e 56-të, trajneri Bushi kreu tre zëvendësime, duke aktivizuar Gudjufin, Tomën dhe Arlind Kurtin. Pesë minuta më vonë, Shqipëria pati një mundësi të mirë me Alilin, por tentativa e tij përfundoi jashtë kuadratit.
Deri në fund, kuqezinjtë aktivizuan edhe Përndrecën, Elezajn, Simnicën dhe Markun, por pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës. Ndeshja u mbyll 0-2 për Gjermaninë. Shqipëria U-21 do të zhvillojë ndeshjen e dytë miqësore më 8 shtator, ndaj Zvicrës, në orën 18:30, në stadiumin “Brugglifeld” të qytetit Aarau.