
I ftuar në emisionin “Opinion” në TVKlan, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka folur për “finalen” e muajit tetor, kur Shqipëria do të luajë në transfertë përballë Serbisë. Kreu i FSHF-së ka folur mbi ndryshimin e stadiumit, por edhe situatën e ekipit. Gjithashtu, presidenti Duka është ndalur edhe tek e ardhmja e Sylvinhos, duke lënë të hapur mundësinë e largimit në rast se Kombëtarja shqiptare nuk do të kualifikohet në Botërorin 2026.
Ndeshja me Serbinë? Vendoset nga FIFA se ku do të zhvillohet. Federata e Serbisë kishte vendosur që ndeshja të zhvillohej në Beograd, në stadiumin e Crvena Zvezdës. Por pas ndeshjes me Anglinë, ndikuan faktorët politikë dhe Federata serbe e pa që nuk do ta përballonte dot dhe ta mbanin nën kontroll. Kemi vendosur të luajmë në Leskovac, stadium me 8 mijë vende. Është më i kontrolluar, besoj do të jetë më mirë nga ana organizative për ta.
Me tifozë apo jo? Ka raporte jo të mira për ndeshjen e fundit me Anglinë, por nuk do të thotë që automatikisht do të dënohet për ta luajtur pa tifozë.
Leskovac apo Beograd, ku është më mirë? Përderisa e kemi pranuar.... Në Leskovac do të ketë më pak tifozë.
Tifozë shqiptarë? Ne nuk kemi pranuar tifozë serbë në Shqipëri dhe e njëjta gjë edhe atje. Ne do të udhëtojmë më 10 tetor mes Nikshit dhe Leskovacit. Më pas do të kthehemi për Jordaninë. Siç thatë ju është një ndeshje e rëndësishme për klasifikimin, s’duhen menduar gjërat e tjera.
Ekipi? Është herët akoma, futbollistët s’kanë eksperiencën që të ndajnë gjërat (sportive apo politike). Gjibraltari ishte ndeshje miqësore, ekip eksperimental dhe ne kishim futbollistë debutues.
Nëse s’marrim rezultatin e duhur me Serbinë, e ardhmja e Sylvinhos? Nëse kualifikohemi, Sylvinho do të jetë trajner, nëse jo, do ta diskutojmë.
Me Jordaninë? Duhet të plotësojmë ditët boshe dhe të bëjmë ndeshje miqësore. Ekipet europiane në atë datë ishin të zëna dhe kemi dalë jashtë Europe. Ata janë kualifikuar në Botëror dhe është një kundërshtar i denjë për ndeshje miqësore.