
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) ka mbajtur ditën e sotme Asamblenë e 30-të të Përgjithshme. Çëshjta kryesore dhe më sensitive e adresuar nga presidenti Fidel Ylli është ajo e CAS ku më 17 qershor të këtij viti, Gjykata e Lozanës shpalli të pavlefshëm Asamblenë e 10 janarit 2021 ku presidenti i asaj kohe, Viron Bozhani u shkarkua e vendin e tij e mori Fidel Ylli disa muaj më vonë.
Të gjitha asambletë e mëparshme të KOKSH, që përfshijnë edhe vetë zgjedhjen e presidentit Fidel Ylli e Komiteti Ekzekutiv janë juridikisht të pavlefshme sipas vendimit të CAS. Por, është vetë Fidel Ylli që në fjalimin e tij shprehet se ky vendim nuk ka hyrë ende në fuqi në Republikën e Shqipërisë dhe stili i tij është i paekzekutueshëm.
“Ju siguroj që Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar po e shqyrton me vëmendje dhe me profesionistë këtë çështje. CAS i Lozanës na ka njoftuar vendimin e saj nëpërmjet një ankimimi të Federatës Shqiptare të Futbollit ku kundërshton Asamblenë e Përgjithshme të KOKSH-it të mbajtur më 10 janar 2021 ku as unë si president e as ky bord ekzekutiv nuk ishim zgjedhur atë kohë, por u zgjodhëm 4 muaj më pas. Por, kjo nuk na largon nga përgjegjësitë.
CAS ka vendosur të shpallë të pavlefshëm atë Asamble dhe të urdhërojë regjistrimin e Organizatave Joqeveritare pranë Gjykatës së Tiranës për ç’regjistrimin e këtij vendimi. Dëshiroj të konfirmoj se KOKSH, por dhe unë si president, parimisht njohim dhe zbatojmë autoritetin dhe vendimet e gjykatave, qofshin ato të Lozanës apo Tiranës.
Thënë kjo, është e rëndësishme të sqarojmë se ekipet tona të avokatëve po punojnë për ankimimin e këtij vendimi, qoftë në Zvicër pranë Gjykatës Federale, por edhe në atë shqiptare. Ju bëj me dije se vendimi nuk është njohur në Republikën e Shqipërisë dhe stili i tij është i paekzekutueshëm. Ndaj, KOKSH vijon të kryejë me përgjegjësi dhe në përputhje me ligjin detyrat e veta funksionale e vazhdon edhe kjo Asamble sot”, tha Ylli.