Viti 2024 konsiderohet i suksesshëm për sportin shqiptarë. Kombëtarja Shqiptare bëri paraqitje fantastike në Euro 2024, ndërkohë siguruam edhe medaljet e para në Olimpiadë nga mundësit tanë. Mundësi çeçen Islam Dudaev dhe ai rus Chermen Valiev sollën në Shqipëri medaljet e para olimpike, për të vazhduar më pas me performancën e Luiza Gegës dhe sportistëve të tjerë.
Por paraqitjet e sportistëve nëpër garat e rëndësishme nuk përkojnë me menaxhimin siç duhet nga ana e 3 federatave sportive, të cilat për 4 vite punojnë kundër ligjit sipas “GazetaSI”.
Federata e Atletikës, Boksit dhe Beshëngritjes do të kenë zgjedhje në javët e ardhshëm. Kjo pasi zgjedhjet e kaluara të zhvilluara para 4 vitesh nuk janë regjistruar në Gjykatën e Tiranës. Rrjedhimisht kjo e fundit nuk njeh asnjë veprim të kryer nga 3 federatat sportive dhe vendimet e marra në këto vite.
Pak përpara Olimpiadës, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës shfuqizoi Asamblenë Zgjedhore të 4 viteve më parë të Komitetit Olimpik, duke zhvlerësuar vendimet e saj, nga zgjedhja e presidentit Fidel Ylli dhe deri tek të gjitha vendimet e mëparshme, të marra nga Komitetit Olimpik.
Si rrjedhojë sporti shqiptar duhet të futet në proceset zgjedhore, nga KOKSH që pritet t’i bëjë në fillim të vitit të ardhshëm, pasi afati është 6-mujori i parë i vitit pasardhës dhe deri te çdo federatë anëtare e Komitetit Olimpik. Mesatarisht janë dhënë 1 milionë euro nga Ministria e Sportit në të paktën 4 vite për të treja këto federata bashkë, ndërkohë që gjykata nuk i njeh.
Nga kjo fundjavë do të ketë zgjedhjet Federata Shqiptare e Peshëngritjes me Elez Gjozën. Pavarësisht gjithçkaje, Asambleja zgjedhore e Boksit është pezulluar, ndërkohë që Taulant Stërmasi prej dy vitesh në drejtimin e Federatës Shqiptare të Atletikës (i parregjistruar) ka zgjedhur datën 21 nëntor, por edhe ajo është e pasigurtë. Përballë tij, në mes të kësaj katrahure ligjore ku mbizotëron e paligjshmja, do të ketë një emër të fortë si kandidaturë, Izmir Smajlin.