FSHF ka njoftuar në faqen e saj në internet se ish-kapiteni i ekipit kombëtar dhe Partizanit, Lin Shllaku, është shtruar në spitalin "Shefqet Ndroqi" në Sauk për shkak të problemeve shëndetësore. Me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF Ilir Shulku dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv Mujo Targaj kanë zhvilluar një vizitë pranë ish-futbollistit duke i shprehur urimet për shërim të shpejtë nga ana e Federatës. Ata gjithashtu i kanë dorëzuar një ndihmë financiare nga ana e institucionit të futbollit. Njoftimi i plotë i FSHF vijon më poshtë:
"Federata Shqiptare e Futbollit, respekton dhe i jep mbështetje ish-kapitenit të ekipit kombëtar dhe atij të Partizanit Lin Shllaku, i cili ndodhet i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Sauk. Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF Mujo Targaj, kanë qenë sot paradite për një vizitë tek ish-futbollisti i njohur i viteve ’60. Ata janë përshëndetur me të dhe janë interesuar nëpërmjet familjarëve për gjendjen e tij shëndetsore dhe për ecurinë e terapisë, të cilës i është nënshtruar në spital. Për këtë ata janë informuar edhe nga stafi mjeksor i spitalit. Shulku dhe Targaj, i sollën mjeshtrit të njohur, përshëndetjet e Presidentit Armand Duka, të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar.
Duke i uruar shërim të shpejtë mjeshtrit Shllaku, ata i kanë dorëzuar familjarëve edhe një ndihmë financiare nga ana e institucionit të futbollit. Lin Shllaku ka luajtur me ekipin “Puna” të Shkodrës, deri në vitin 1956. Nga ky vit, kur ishte më pak se 18 vjeç, është afruar tek skuadra e Partizanit, me të cilën është lidhur deri në fund të karrierës së tij në vitin 1971. Nga viti 1959 e deri në fundin e karrierës, ka qenë lojtar bazë në këtë skuadër dhe për vite me rradhë kapiten i saj. Ai ka luajtur 15 ndeshje me skuadrën kombëtare duke qenë gjithashtu edhe kapiten i saj."
[caption id="attachment_17939" align="aligncenter" width="770"] Përfaqësuesit e FSHF gjatë vizitës në spital[/caption]