
Amir Rrahmani ka folur për situatën të cilën po kalon Italia, vendi i dytë në botë më i prekur nga Coronavirusi.
Qendërmbrojtësi i njohur i Veronës, në një lidhje direkte me Supersport zbuloi se drejtuesit e klubit kanë vendosur që stërvitja të fillojë në 4 prill. Në korrik, ai do të transferohet te Napoli, megjithatë për këtë ende s’e di si do procedohet.
“Është një situatë e vështirë. Thjesht nuk e kemi pritur. Është ndërprerë çdo gjë. Edhe tërmeti në Kroaci ishte diçka e keqe, mirë që s’ka pasur shumë viktima. Edhe në Kroaci ka filluar përhapja e tij.
Tani është ç’rregulluar edhe regjimi. Ndonjëherë s’na gjen gjumi dhe është pak e çuditshme kjo situatë. Sampdoria ka qenë ndeshja që kemi humbur 2-1. Pas asaj ndeshje kemi qenë të gjithë të izoluar sepse pas 5-6 ditësh kuptuam që disa lojtarë kishin dalë pozitivë. Ne që kemi pasur kontakte është dashur të izolohemi.
Pas nesh u karantinuan edhe Juventus, Inter, por edhe Fiorentina. S’kemi pasur të drejtë të dalim aspak nga shtëpia. Zakanji ka dalë pozitiv nga kontaktet që kemi pasur me lojtarët e Sampdorias. Deri tani s’na është bërë asnjë test, por para se të fillojë stërvitja do të bëhen aty. Në klub po mendojnë për të filluar stërvitjen me 4 prill. Me 1 korrik fillon kontrata me Napolin. Nuk e di çfarë do të bëhet. Presidenti i Italisë ka vendosur që të gjithë njerëzit të jenë të izoluar deri me 4 prill. Ka dalë sërish në konferencë ku ka thënë se data duhet shtyrë.
Qëndrimi? Po e shoh që nuk duhet të jemi beqar në këtë periudhë. Kam mbetur vetëm. Kam mbetur me biçikletën time.
Shtyrjet e Kosovës? Më mirë që ndeshjet e Kosovës janë shtyrë sepse pa tifozë nuk ka lezet, s’ka entuziazëm. Ishte shumë e vështirë të luhet pa tifozë. Në familjen time të gjithë janë mirë”, përfundoi ai.