
Nga Edi Oga për newsbomb.al
Më në fund njerëzit janë të lirë të lëvizin pa leje! U hapën edhe lokalet! Bukuri!
Bëra një xhiro të gjatë por pa plan, sa për të shijuar lirinë e rifituar dhe u ula në një lokal për të pirë kafe. Befas m'u afrua dikush që nuk e njihja. Një njeri i çuditshëm!
- A të shqetësoj po ta pi kafen me ty? Mos ki merak se do mbaj distancë!
Nuk kisha kohë të mendoja se ç'mund t'i thosha, sepse ai vendosi kafenë e vet mbi tavolinë, tërhoqi karrigen gjerë dhe u ul.
- A je i besës? – më pyeti!
- Jo, nuk jam. Çfarë më thonë, i shkruaj në internet!
Intuita po më diktonte njëzet minuta ferri, prandaj vendosa të jem i pasjllshëm.
- Fiks siç më duhet mua! Do të them një gjë të padëgjuar. Dua ta shkruash, por pa emër, sepse ta pres fytin! Kam bërë një plan për të vrarë pesë njerëz, - më tha, aq qetë sikur kishte në plan të qëronte pesë kikirikë.
- E ke menduar mirë? – i thashë në një përpjekje të dëshpëruar për ta bërë të ndryshojë mendje gjithsesi.
- Kam pesë vjet që e mendoj dhe bëj planet. Kam menduar çdo detaj.
- Je i vetëm apo ke bashkëpunëtorë?
- Nuk ka ç'të duhet! Ti duhet të dish vetëm që brenda muajit, pesë njerëzit që mbajën peng këtë vend, do largohen nga kjo Botë!
- Do mendimin tim? – e pyeta me ndrojtje. Nuk mendoj se në një demokraci kjo është mënyra se si vendosen apo hiqen njerëzit nga pushteti.
- Boll o gazetar! Mos guxo të tallësh bythën me mua se nuk jam popull! Këta të pestë do të puthen me Milon.
U përpoqa të mendoj për një çast se si do të gdhihej Shqipëria të nesërmen e ditës kur pesë liderat kryesorë politikë do të vriteshin nga një i çmendur! Njerëzillëku dhe botëkuptimi u futën në lojë për ta ndalur këtë makabritet.
- Pse pesë dhe jo një! Vetëm atë më të keqin?!
- Sepse janë të pestë shumë të poshtër. Madje midis tyre është edhe një femër!
Ai tipi kishte një vendosmëri killeri në të folur, një damar sa gishti në ballë dhe nga goja lëshonte spërkla aq të mëdha, sa mund të mbanin brenda tyre edhe Piperon!
- Pse mi the mua të gjitha këto?!
- Sepse dikush duhet ta dijë se kush ua bëri këtë nder shqiptarëve! Po më vranë mua, dua që të shkruash në internet për këtë takim! Në rregull?!
Pata fat. Në atë sekondë, një grua e shëndoshë erdhi me vrap dhe e tërhoqi atentatorin fort nga krahu. "Sa herë të kam thënë mos iu ul njerëzve në tavolinë, psikopat!" Me një fytyrë të keqardhur faljekërkuese, gruaja u kthye nga unë dhe më tha. "Mos ia vër re, se është me kartelë, me ilaçe të rënda!"
Përpara sesa të largohet, atentatori më lëshoi një letër të palosur. Ishin pesë emrat e atyre që do të ekzekutonte. Me padurimin se midis tyre do të ishte edhe emri i atij që do të hiqja qafe edhe unë sikur vrasja të ishte e ligjshme, e hapa dhe e lexova në sekondë: Antonio Conte, Steven Zhang, Romelu Lukaku, Mauro Icardi dhe Wanda Nara.
Emri që unë shpresoja, nuk ishte në këtë listë. Sidoqoftë, bëra detyrën. Shkrova një letër të detajuar dhe e nisa me postë në Corso Vittorio Emanuele II 9, 20122. Milan. Italy.