
Së fundmi, pas shpenzimit të miliona eurove për futbollistët më të mirë në treg, Federata Kineze miratuar një rregull të ri, që mund të zbatohet për të mbrojtur prodhimin dhe aktivizimin e futbollistëve vendas në një kohë që klubet e Superligës kineze janë duke shpenzuar shifra të marramendëse për të afruar në skuadrat e tyre "yjet" e futbollit botëror.
Një rregull mjaft interesant që pritet të futet në fuqi ka të bëjë me vlerën e golave të shënuar nga futbollistët kinezë dhe ata të shënuar nga futbollistët e huaj. Ideja që po diskutohet për t’u miratuar ka të bëjë me rastin nëse në fund të kampionatit dy ekipe në renditje do të jenë me pikë të barabarta.
Duke qenë se në një rast të tillë shikohet golavarazhi i përgjithshëm i secilës skuadër, atëherë golat e realizuar nga futbollistët vendas do të vlenin dyfishin e atyre të shënuar nga të huajt. Pra, kampioni i Kinës mund të vendoset nga golat e shënuar nga lojtarët e dalë nga akademitë e klubeve kineze dhe jo nga milionat që paguhen për futbollistët e huaj.