
Idriz Batha, lojtari i Tiranës, ka dhënë një intervistë për Supersport, ku është shprehur për tema të ndryshme, nga fanella bardheblu, e deri tek tifozët.
Batha ka thënë se është një kënaqësi të veshësh fanellën e 24 herë kampionëve të vendit, pasi Tirana është një klub me traditë dhe me emër.
Kalimi tek Tirana: "Është kënaqësi e veçantë të veshësh fanellën e një klubi me traditë dhe emër si Tirana. Dëshira është për ta parë veten dhe skuadrën sa më lart, por duhet t'i marrim gjërat me radhë dhe të shpresojmë që të shkojmë atje ku unë dhe Tirana duam".
Gol në derbi ndaj Partizanit: "T'i marrim ndeshjet me radhë dhe kur të vijë derbi, shpresoj që fati të na buzëqeshë neve këtë herë. Festa është diçka që ndodh spontanisht dhe lidhet me anën emocionale, por më mirë t'ia lëmë fushës dhe të shohim".
Trajneri Ardian Mema: "Me profesorin kam një marrëdhënie shumë të mirë dhe madje jo vetëm unë, por të gjithë, pasi ai di të ndërtojë marrëdhënie. Shpresoj që për të mirën tonë dhe të klubit, ky raport të vazhdojë kështu".
Tifozët: "Nuk është as hera e parë dhe as e fundit që tifozët të kenë kundërshtime për një lojtar që ka veshur më parë fanellën e rivalit, por mbrojmë të njëjtat ngjyra dhe besoj se një ditë do bëhemi bashkë", tha Batha.