
NGA ERVIN BAKU
Si sot, në një 17 janar, kanë lindur Ramiz Reka dhe Mohamed Ali (Cassius
Clay)... Reka rreshtohet te boksierët teknikë të boksit shqiptar. Kishte një trup
të skalitur, me muskuj të shtrirë dhe elastikë. Arsenali teknik që dispononte
ishte për t'u pasur zili, duke lënë gjurmë te boksierët e atyre viteve dhe në
boksin shqiptar në përgjithësi. Ai ka plot 71 vjet jetë me dhe për sportin.
Specialist i mirëfilltë, pedagog, anëtar i Komisionit të Europës, Ramiz Reka ka
lindur më 17 janar 1938 në qytetin e Durrësit. Ka kryer studimet në Institutin
e Lartë të Kulturës Fizike "Vojo Kushi" (sot Universiteti i Sporteve të Tiranës
- UST). Nga viti 1948-1953 u inkuadrua në sportin e boksit me grupmoshën e
pionierëve. Nga viti 1954 e deri në vitin 1956 është shpallur tri herë kampion
kombëtar për "Junior". Nga viti 1957 e deri në vitin 1963 ka përfaqësuar ekipin
e boksit të Partizanit. Eshtë shpallur pesë herë kampion i Spartakiadës së
Përgjithshme të Ushtrisë dhe kampion kombëtar. Në vitet 1958-1963 ka qenë
anëtar i ekipit kombëtar të boksit.
E filloi karrierën e tij në vitin 1948, në Durrës, në sallën e teatrit "Teuta",
sot teatri "Aleksandër Moisiu". Pikërisht aty u mbajt takimi kombëtar i
boksierëve më të mirë. Reka hapi siparin e ndeshjeve në një përballje kundër
Agim Dollanit, bashkëmoshatarit të së njëjtës lagje, lagjia e dibranëve në
Durrës.
Trajneri i parë i tij ka qenë Ilmi Reka dhe më pas vijojnë Sulejman Kokomani,
Ymer Reçi, Vlash Fisheku dhe i ndjeri Baku Gjoni. Durrsaku fitoi shumë shpejt
simpatinë e boksdashësve durrsakë, jo vetëm pse u shpall tri herë radhazi
kampion kombëtar për të rinj, por, sidomos nga mënyra dhe stili i veçantë
teknik i boksimit të tij. Kot nuk ishte marrë me akrobaci dhe gjimnastikë kur
ishte fare i vogël . Në vitet e mëvonshme kur "babai i boksit", Ali Kastrati, e
"thithi" nga Durrësi te Partizani, Reka jo vetëm do të përpunohej në shumë
drejtime dhe do të stërvitej me ngarkesa të larta, por do të radhitej midis
boksierëve më të mirë të Partizanit. Ai "tradhëtoi" Durrësin në vitin 1957 për
të kontribuar në pasurimin e titujve kampionë si me Partizanin, ashtu edhe në
paraqitjet dinjitoze me ekipin kombëtar të Shqipërisë. Ramiz Reka u shpall
kampion me Partizanin në vitin 1961 dhe tri herë rradhazi u shpall boksieri më
i mirë i Kupës së Republikës (sot Kupa e Shqipërisë) për vitet 1961, 1962 dhe
1963. Në të njëjtën periudhë, Ali Kastrati i besoi Rekës drejtimin e të rinjve
të Partizanit, së bashku me Martin Çetën, një ndër boksierët më të mirë në
vend. Reka dhe Çeta e përmbushën me sukses të plotë misionin e vështirë të Ali
Kastratit.
Në vitin 1963 boksi u ndalua në Shqipërinë komuniste. Emri i Ramiz Rekës u bë
më i dëgjuar, më popullor dhe më i vlerësuar, pasi ai dha një kontribut të madh
si trajner, gjyqtar dhe pedagog. Në vitin 1991, Reka u zgjodh Sekretar i
Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Boksit, ku hodhi themelet për anëtarësimin
e Shqipërisë në AIBA (Shoqata Ndërkombëtare e Boksit Amator). Kontributi i tij
ka qenë i madh edhe si mësues i edukimit fizik, por më shumë i ndjeshëm si
pedagog në ish-Institutin e Fizkulturës "Vojo Kushi" si specialist i
gjimnastikës. Gjithashtu në drejtim të futbollit nga viti 1972-1982.
Ramiz Reka edhe sot është një "djalë" i ri. King fare. Përvjetori i 82-të nuk
përbën absolutisht asnjë ndryshim për gjendjen e tij fizike-funksionale. Ai
edhe sot e kësaj dite është aktiv, demonstron saktë, shpejt, në kohën dhe
vendin e duhur. Reka punon dhe stërvit dashamirës të boksit, ish- boksierë. Për
punën e tij, ai merr gjithmonë falënderime dhe mirënjohje, njëherazi ndihmon
dhe veten, duke ruajtur formën e mirë fizike. Kur njeriu nuk njeh moshë, nuk
njeh dhe plakje. Kjo shprehje shkon sot, në datëlindjen e 82-të të mjeshtrit të
dorezave të zeza. Ramiz Reka është kampion në jetë dhe kampion në shpirt.
Realisht, jam me shumë fat që e kam njohur dhe që ndaj gjithçka me të.
Kanë thënë për mjeshtrin e dorezave të zeza
Ali Kastrati - "Mjeshtër i Madh":
"Ramizi kishte vullnet të hekurt, përkushtim të madh në stërvitje. U përshtat te Partizani shumë shpejt me ngarkesa të larta në stërvitje. Kishte intuitë, shkathtësi dhe shpejtësi reagimi të mirë. Harmonizonte mirë fazën e sulmit me mbrojtjen aktive, por vepronte shpejt edhe në kundërsulm. Ishte e vështirë ta kapje në këndin e ringut. Karakter të fortë, hera-herës i pathyeshëm, intelekt profesional të spikatur. Këto ishin disa nga treguesit që unë i besova atij dhe Martinit të drejtonin ekipin e të rinjve të boksit të Partizanit në veprimtaritë kombëtare, që gjithmonë u kthyen në sukses".
Ahmet Golemi - "Mjeshtër i Madh":
"Reka rreshtohet te boksierët teknikë të boksit shqiptar. Kishte një trup të skalitur, me muskuj të shtrirë dhe elastikë. Arsenali teknik që dispononte ishte për t'u pasur zili, duke lënë gjurmë te boksierët e atyre viteve".
Hysen Sharra - Dy herë "Mjeshtër i Merituar i Sportit", në boks dhe në not :
"Ramizi kishte mendim të mirë tekniko-taktik, kryente shkëlqyeshëm kthimet 45 dhe 90 gradë të shoqëruara me kundërgoditje, të cilat zbukuronin mënyrën e dyluftimit".
Todi Janku - "Mjeshtër i Merituar i Sportit":
"Boksieri Ramiz Reka ishte atlet në kuadratin e ringut. Ai aplikonte shumë mirë goditjet finte. Ishte ambicioz për të demostruar në ring nivel të lartë teknik që ne boksierët e peshës së rëndë e kishim zili".
Niko Mile - "Mjeshter i Merituar i Sportit":
"Ramizin gjatë boksimit e kanë shoqëruar paksa edhe emocionet, po kur e kalonte këtë gjendje, pas raundit të parë, zhvillonte ndeshje të bukura, që shoqëroheshin edhe me spektakle".