
Tirana ka fituar 0-2 me Egnatian për javën e dytë të Superligës. Kampionët e vendit i janë falur golave të Kallakut dhe Hasanit në secilën pjesë. Tej rezultatit, ndeshja është kapur nga momente paniku dhe ankthi në minutën e 31.
Mesfushori 18 vjeçar i Tiranës, Klevi Qefalia është rrëzuar pa ndjenja në tokë, pas dyluftimit në ajër me Ojediran. Djaloshi ka bërë që të pranishmit të përjetonin momente të vështira, me ambulancën që e ka dërguar në spitalin e Rrogozhinës dhe më pas drejt Traumës në kryeqytet.
Çarje në ballë dhe dëmtime në nofull për Qefalija, me lojtarin që e ka kaluar momentin e vështirë duke u përmendur. Lojtarët e Tiranës nuk e vijuan ndeshjen, derisa lajmi për përmendjen e tij u dha nga Tefik Osmani.
Duket se dëmtimi do e mbajë jashtë Qefalijan për disa javë, me mesfushorin që është nën kujdesin e mjekëve.
Sa i takon ndeshjes, Egnatia merr humbjen e dytë radhazi, ndërsa Tirana tri pikët e para pas barazimit 1-1 me Kukësin.
Pas ndeshjes për Oversport foli trajneri i Tiranës, Orges Shehi.
“Dëmtimi i Qefalia? Na shqetësoi pak. E kanë futur për një skaner sepse ka dëmtim. Presim përgjigjen. Na dëmtoi kjo situatë nga ana psikologjike. Shpresoj që sa më parë të marrim lajme të mira nga Qefalia.
Nuk mund të vazhdonim lojën pa e ditur gjendjen e tij. Na u dha lajmi se ishte mirë dhe dolëm në fushë. Fundi i pjesës së parë sikur nuk ishim aty. Në dhomat e zhveshjes i thashë lojtarëve që të fitojmë për të.
Egnatia? Ndeshja nuk ka qenë e lehtë, Egnatia ka lojtarë të mirë. Kalendari ishte në disfavor sepse luajtëm edhe me Kukësin në transfertë. Kemi mentalitetin e duhur, kur luajnë kundër nesh si kampionë skuadrat kundërshtare janë më të motivuar. Nuk kishim një sulmues të mirëfilltë, lëvizëm lojtarët në sulm.
Kemi nevojë për përmirësime, skuadra është e re paçka se kemi 4-5 lojtarë nga vjet. Jemi skuadër komplet e re”, tha Shehi.