
Teuta do të presë sot Vllazninë për takimin e javës së 35-të të Superligës në stadiumin "Niko Dovana".
Një përballje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, të cilat kërkojnë të sigurojnë mbijetesën sa më parë.
Pritet që kjo të jetë një sfidë e luftuar deri në sekondat e fundit, ndërsa Teuta e nis me një 'handikap' të madh, që është pikërisht problemi i mungesave.
Sykja dhe Musta janë të pezulluar për shkak kartonësh, ndërsa Hodo dhe Tarik të dëmtuar. Këtyre mungesave iu shtohet edhe Enriko Papa. Mesfushori ka ndjerë një shqetësim në gju, çka detyroi trajnerin Magani të ndryshonte planet, pasi Papa nuk do të jetë i grumbulluar në këtë takim.
I kontaktuar nga newsport.al përpara sfidës kundër Vllaznisë, mesfushori 23-vjeçar pranon dëshira e tij ishte e madhe për të qenë në fushë në këtë sfidë delikate për të dhënë kontributin e tij drejt realizimit të misionit 'mbijetesë'.
"Do të jetë një ndeshje e vështirë. Vllaznia ka treguar se është një ekip që i hap probleme çdo skuadre. Por, jam i bindur se Teuta sot do të bëjë ndeshjen e jetës.
Ekipi do të kërkojë tri pikët me çdo kusht për të shkuar të qetë në ndeshjen e fundit kundër Laçit. Me mbështetjen e tifozëve jam i sigurt se do të realizojmë objektivin tonë.
Ndihem i mërzitur që nuk do të kem mundësi të jem në fushë për këtë takim për shkak të një dëmtimi që kam pësuar në gju. Është një ndalesë jo në momentin e duhur, duke qenë se po kaloja një formë të mirë dhe jam përshtatur mjaft mirë me ekipin. Goli i shënuar kundër Korabit më ka dhënë më tepër motivim dhe do doja që edhe sot kundër Vllaznisë t'i vija në ndihmë ekipit. Megjithatë, jam i bindur se të gjithë lojtarët e tjerë të Teutës që do të jenë sot në fushë do të japin maksimumin", shprehet Enriko Papa, fantazisti që u afrua te Teuta në merkaton e janarit nga Tirana.