
Volejbolli ashtu si çdo aktivitet sportiv në Shqipëri është ndalur për shkak të pandemisë së covid-19. Prej dy muajsh asnjë sport nuk zhvillohet, ndërsa lojtarët vazhdojnë stërvitjet individuale.
Ashtu si me futbollin edhe për volejbollin nuk ka ende një përgjigje zyrtare nëse do të luhet ky sezon i lënë përgjysmë apo do të mbyllet përfundimisht. Në një lidhje telefonike për emisionin “60 minuta në fushën time” të kanalit të parë të Radio Tiranës, presidenti i Volejbollit, Erlind Pëllumbi e thotë prerë që fituesi do të vendoset në parket.
“Që ditën e parë që sporti, sikundër e gjithë jeta në vend, u pezullua, unë kam deklaruar që kushdo që do të shpallet “kampion”, duhet të dalë nga parketi. Për këtë arsye ne kemi marrë disa masa, kemi ndërtuar disa skenarë, për të qenë të gatshëm drejt këtij qëllimi.
Natyrisht, do t’i lëmë kohë të mjaftueshme të gjithëve që të përgatiten, sepse, që të luash në një nivel të caktuar, padyshim që duhet kohë, sepse dy muaj larg parketit janë padyshim shumë. Prandaj do t’u lëmë sportistëve kohën e mjaftueshme, mbase jo të nevojshme, për të qenë gati për lojë. Mendimi im ka qenë dhe është që sporti duhet të luhet dhe kampionët duhet të dalin në parket.”
Të paktën, nga kontaktet e deritanishme që kam patur me lojtarë, me trajnerë, qofshin këta të ekipeve kombëtare apo më gjerë, mund të them se fillimisht, situata ishte shumë optimiste. Por ky optimizëm nuk mund të mbahet shumë gjatë, sepse vetë aktiviteti sportiv nuk mund ta pranojë këtë lloj situate dhe këtë lloj gjendjeje.
Mirëpo kjo është e përgjithshme për vendin tonë dhe do të na duhet të presim deri në një zhvillim të ri. Sporti padyshim është një nga elementët më të rëndësishëm në jetën e përditshme të çdo njeriu, mendoj unë, sepse në të gjitha lidhje telefonike apo me “Skype”, apo në gjithçka që ju përcillni nëpër emisionet tuaja, kemi parë që të gjithë rekomandojnë që çdo njeri të bëjë ushtrime fizike edhe në shtëpi.
Prandaj, të them të drejtën, mendoj se, në këtë periudhë pandemie, sporti ka dalë si parësor dhe mendoj që po kështu duhet të vazhdojë të jetë në jetën e përditshme të çdo njeriu”.
Thirrje Qeverisë? “Prandaj do të dëshiroja që edhe qeveria ta kthejë më tepër vëmendjen nga sporti, sesi ai mund të organizohet pak më mirë dhe sesi ai mund të masivizohe.
Kjo është ajo që ne kemi bërë në Federatën tonë, duke organizuar disa kampionate, madje edhe për amatorët e volejbollit dhe fëmijët e grupmoshat e tjera, por me buxhetin dhe me financat që kemi përballimi i gjithë kësaj është shumë i vështirë. Që sporti të marrë frymë, duhet të mendojmë të paktën këtë pjesë”, u shpreh Erlind Pëllumbi.