
President ii Tiranës, Refik Halili është i ftuar në emisionin “Ora Skaner” të moderatorit Gerti Çarçani.
Tema më diskutuar për momentin është çështja “Muzaka”. Sipas Halilit, mesfushori bardheblu e ka dërguar çështjen në gjyq në FSHF që më 30 dhjetor të 2016-ës dhe nuk mund të pretendonte më që të ishte pjesë e skuadrës pas këtij veprimi.
“Këtu janë të gjitha pagesat që janë bërë për Muzakën. Sipas kontratës që ka nënshkruar ai me klubin tonë, në pikën 3 shkruhet: Në rast se lojtari do të bëhet i papaftë për të luajtur, për dëmtim apo sëmundje, ai do të paguhet për 4 muaj dhe jo më shumë.
Në një pikë tjetër shkruhet: Lojtari do të paguhet 70 milionë në vit. Paga mujore është 7 milion lekë bruto, që ndahet në 1 milionë lekë rrogë dhe 6 milion lekë të vjetra bonus.
Muzaka kërkon edhe bonuset dhe pagën mujore. Pra, ai kërkon të përfitojë edhe ato para kur ka qenë i dëmtuar.
Këtë kontratë ma ka sjellë vetë Muzaka dhe ma ka thënë që këtë kontratë dua.
Pra këtë gjë ai e bën për të marrë edhe bonuset, që nuk i takojnë, sepse sipas kontratës ai i përfiton bonuset vetëm nëse luan. Por, ai nuk ka luajtur për shumë muaj, sepse ka qenë i dëmtuar.
Një ditë para se skuadra të nisej drej Antalias, Muzaka më dërgoi një mesazh: ‘Mirëdita. Mësova se nuk do të jem në listën e skuadrës që do të udhëtojë drejt Antalias. Si qëndron puna?’
Por, mua më njoftuan nga FSHF, që më 30 dhjetor se Muzaka kishte bërë një kërkesë padi kundrejt klubit për rrogat që ai pretendon. Si mund të përfshihej ai në listën e Antalias kur kishte bërë këtë veprim kundër klubit? Muzaka ka ende për të marrë paga. Por, ai nuk pranon 1 milion lekë në muaj që i takojnë për ato muaj kur ka qenë i dëmtuar, por do 7 milion lekë edhe për muajt kur ka qenë i dëmtuar. Por, kjo nuk i takon, sepse e ka në kontratë. Unë prisja që Muzaka të vinte të më thoshte që po e mbyll sepse nuk është më në gjendje fizike për të luajtur. Në këtë mënyrë ne mund të flisnim dhe mund t’i ofronim një post në klub”, tha presidenti i Tiranës, Refik Halili në “Ora Skaner”.