
Në ndeshjen mes Kb Prishtinës dhe KB Trepçës pati dhe dhunë, gjë e cila zbehi finalen e Superkupës, ku kryeqytetasit e fituan, por nuk e festuan.
Kanë qenë dy palë tifozëritë ‘Plisat’ dhe ‘Torcida’ që kanë pasur përleshje mes vete ku nuk kanë munguar edhe dëmet e mëdha në sallën e sporteve në Prishtinë, ku ka pasur edhe shumë karrige dhe xhama të thyer.
Krahas tifozëve të të dyja palëve të lënduar ishin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, por nuk ka munguar reagimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Dhuna e shfaqur mbrëmë në ndeshjen
KB Prishtina - KB Trepça është e papranueshme dhe nuk ka vend në kryeqytet, e askund tjetër! Jemi të lumtur që KB Prishtina fitoi superkupën mbrëmë, mirëpo nga dhuna e shfaqur u zbeh edhe gëzimi për fitoren e merituar. Sporti ka të bëjë me shpirtin garues në frymë tolerance e respekti reciprok, prandaj u bëj thirrje edhe tifozëve që ta kultivojnë një frymë të tillë”, ka shkruar Perparim Rama.