
Elbasani dhe Bylis e kanë mbyllur në barazim 2 me 2, ndeshjen e prapambetur mes tyre të vlefshme për javën e 11. Spektakli në stadiumin e mbushur të “Elbasan Arena”, nuk pa fitues.
Kështu Bylis e mbyll si kampione dimri në Kategorinë e Parë, ndërsa Elbasani në vendin e dytë me 3 pikë më pak. Në fund të takimit foli për mikrofonin e MCN, presidenti i Bylisit Besnik Kapllanaj.
Ai tha ndër të tjera se ka oferta për Trumçin dhe Peraltën, ndërsa trajneri i ballshiotëve Bellai duhet të rrijë i qetë sepse çdo largim do zëvendësohet.
"E para duhet të them që ka qenë ndeshje e bukur me gjithë këta tifozë. Është ndeshje perfekt dhe nga ana juaj si medie.
Përsa i përket barazimit, mendoj është rezultat i drejtë", u shpreh Kapllanaj.
Largim i lojtarëve.
"Dhimbje koke për klubin. Trajneri është trajner dhe duhet të zbatojë politikat e klubit.
Trumçi është lojtar që ka oferta nga jashtë dhe për Peraltën. Këta të dy kanë pasur më shumë oferta. Dhe Macolli. I premtojmë Bellait që kushdo të largohet do zëvendësohet. Nëse nuk ikën asnjë lojtar, nuk do afrohet askush. Bellai të rrijë i qetë", e mbylli fjalën e tij Kapllanaj.