
Nga Ilir Kadia
Nesër Vllaznia dhe Tirana do ndeshen në “Loro Boriçi” në më të pazakontën ndeshje mes tyre! Fituesi qesh, humbesi qan! Të paktën për një vit! Që do të thotë del nga kategoria, humbësi! Të dyja me traditë, njëra më të pasur se tjetra!
Tirana, përfaqësuese e kryeqytetit të Shqipërisë, e tjetra e “kryeqytetit” të Veriut të Shqipërisë! Nesër në “Loro Boriçi” pritet që, siç thosh Anton Mazreku madh, nuk do di kush ku të hedhë kokrrën e mollës!
Lufta sportive do jetë e fortë sigurisht, mirëpo spektakli nuk do të mund të arrijë majat e tij! Arsyeja?! Një nga lojtarët më të mirë të Vllaznisë, Bakaj, nuk do të luajë! “Nuk më bëjnë këmbët të luaj kundër Tiranës, jam tirons!!”-ka thënë ai. As Lika, nuk do luajë me Tiranën! Nuk i bëjnë këmbët të luajë kundër Vllaznisë! Eshtë shkodran!
Urra, kanë bërtitur “tifozët” respektivë! Ky është patriotizëm!
Por në fakt nuk është! Pse? Sepse kur sportdashësi pret biletën e hyn në stadium, pret të shikojë në fushën e blertë mjeshtëri sportive e jo “mjeshtëri” patriotike! Higuain hëngri bukë tek Napoli me vite! Shkoi me Juventuesin, luajti kundër Napolit, shenoi jo një, por dy gola dhe nuk kerceu përpjetë nga gëzimi vërtet, por i pranoi përqafimet e juventinëve i heshtur! Respektoi mërzinë e tifozëve të Napolit! Edhe ne stadiumet e tjera të Evropës ku gjatë një sezoni ndodhin me dhjetëra e qindra lëvizje të tilla, kuptimi i patriotizmit është demonstrimi i vlerave dhe aftësive më të mira sportive dhe jo dorëheqja nga ndeshja!
Gabuan Bakaj, Vrapi dhe Lika sivjet! Humbën shancin të demonstrojnë patriotizmin e vërtetë!