Drejtori i Partizanit, Arbër Abilaliaj foli për prag të sfidës me Teutën në ‘Arena e Demave’. Abilaliaj preku rikthimin e Shehit dhe Skukës, ndryshimi nga ekipi i Zekic, si dhe merkaton e të kuqve.
“Shehi apo rikthimi i Skukës? Besoj të dyja bashkë, por për trajnerin punuam shumë që të arrinim në këtë pikë dhe besoj se ishte një nga lëvizjet më të rëndësishme. Futbollistët e ri janë një vlerë e shtuar. Duhet të konsolidonim të gjithë organikën tonë dhe e nisëm me trajnerin që u shpall më i miri i vitit. Na tërheqin pak këto, më të mirët e vitit.
Situata e të dëmtuarve? Bintosuka dhe Mba kanë dy dëmtime të lehta dhe do të jenë shpejt në ekip. Edhe Preka është 90% i rikuperuar nga dëmtimi në shpatull. Bytyçi duhet të rikthehet pas 4 muajve dhe ka nisur riaftësimin. Me afrimin e Bintsouka, Mba e Preka mund të kemi të gjithë potencialin tonë.
Ne po punojmë për dy profile të tjera. Një merkato dinamike dhe për momentin po vëzhgojmë. Nëse themi që nuk ka hyrje të reja duhet të mendojmë për huazime pasi kemi organikë. Kemi edhe 2 në listë për t’u afruar. Nuk nxitojmë pasi ekipi është i kompletuar në çdo repart. Nëse duam të ngrejmë nivelin do të bëjmë 2 ndërhyrje që varen nga ajo që ofron merkato.
Faza përgatitore? Pozitive, i dha mundësi trajnerit të njihte ekipin. Do t’i duhet kohë, por kushtet ishin perfekte. Dy miqësoret u bënë me ekipe me nivel dhe ne dominuam të dyja. Shehi ka nevojë për kohë që të implementojë idetë e tij.
Partizani i Zekic dhe ky i Shehit? Nga Partizani i parë u shkëputëm diku te 10-15%, patëm një oshilacion ku edhe pse fituam Superkupën mund të bënim më mirë në disa ndeshje. Kishim shumë mungesa. Duke filluar nga janari e këtej, ky ekip do të ketë 30% ngritje pasi nuk do të ketë mungesa, do të ketë më pak ndeshje me 1 ndeshje në javë që është superluks”, tha Abilaliaj.