
Jasir Asani u shpall një nga 15 personazhet e vitit 2023 të përzgjedhur nga emisoni “Opinion” në TvKlan që drejtohet nga Blendi Fevziu. Asani pas këtij vlerësimi tregon se kur e nisi futbollin, teksa tregohet shumë i gatshëm për Europianin duke thënë që nuk ka frikë asnjë kundërshtar.
“Me futbollin kam nisur në moshën 7-vjeçare tek Vardari në Shkup në Maqedoninë e Veriut. Më pas erdha në Shqipëri dhe dolëm kampion me Partizanin pas 26 vitesh. Dhe më pas mora rrugëtimin që duhej për të vazhduar përpara. Partizani është familja ime e dytë. Tifozët, klubi dhe presidenti Gaz Demi janë të mrekullueshëm.”
Telefonata nga Sylvinho?
“Ka qenë ditë e premte kur u mora nga stafi për të qenë pjesë e Kombëtares. Isha në Korenë e Jugut. Normal nga gëzimi qava sepse mezi e prisja këtë ftesë. E kam patur një ftesë nga Maqedonia e Veriut. Ka 7-8 vite që prisja ftesën e Kombëtares, edhe po mos të vinte ftesa këtë herë unë do të prisja.”
Goli më emocionues?
“Ai gol ndaj Moldavisë. Ishte ndeshje e vështirë dhe fitore që na dha vetbesim që të ecnim përpara. Me presidentin Duka shkojmë shumë mirë, kemi kompleksin më të mirë në Ballkan. Merita është e të gjithëve sepse jemi një grup shumë i fortë.”
Besim për Euro 2024?
“Kam shumë besim. Jam i gatshëm për ndeshjen ndaj Italisë. Nuk kemi frikë nga askush, nga asnjë kombëtare tjetër.”