
Nga Glendi Tafaj
Ku do të luajë Partizani?! Është pyetja e madhe ose diskutimi që ka pushtuar opinionin sportiv, vecanërisht atë kryeqytetas që në momentin kur nisën punimet për ndërtimin e "Arenës Kombëtare, e për pasojë "Qemal Stafa" mbeti vetëm në zemrat dhe kujtimet e tifozëve
Tirana ia mbylli dyert e "Selman Stërmasit" për t'ia hapur ato Korabit, por tashmë që dibranët u "përzunë" nga i vetmi impiant i momentit në metropol, "të kuqtë" me hapësirën e krijuar nuk dëshirojnë më të shtegtojnë në Elbasan për shumë arsye ( larg Tiranës, shpenzimet etj ), por duan ngjyrat bardheblu të stadiumit rival.
Natyrisht për tifozët e Tiranës është anormale, deri diku paradoksale, ndoshta edhe e pakonceptueshme që "demat" të pushtojnë shtëpinë e tyre. Rivaliteti mes dy skuadrave më të mëdha në historinë e futbollit shqiptar të dërgon përtej fushës. Për shumë të apasionuar ka qënë një mënyrë e veçantë jetese, i ngjashëm me një religjon.
Dikur tek Tirana, ndoshta edhe tani, nuk të lejonin të vishje as në stërvitje, madje as në veshjen e përditshme ngjyrën e kuqe, nga fanellat e deri tek këpucet, anasjelltas edhe tek Partizani, ndodhte e njëjta gjë me ngjyrat bardheblu. A mos vallë më parë urrejta ishte në kufijtë e një lufte botërore?! Absolutusht Jo, madje tifozët kishin raporte më të mira se sa kanë sot "Tirona Fanatics" dhe "Ultras Guerrils", por gjithçka bëhej për hir të rivalitetit, për hir të atij derbi madhështor i cili ngjitet në qiell edhe për shkak të mungesës së dashurisë mes Tiranës e Partizanit.
Pse një përballje futbolli mbiquhet derbi, për çfarë arsye?! Pikërisht për atë adrenalinë unikale që dhuron një sfidë mes dy skuadrave, dy klubeve, dy tifozerive që e "urrejnë" njëra tjetrën. Në qytetin e Manchesterit do ishte sakrilegj që skuadra e United për një arsye apo një tjetër ti zhvillonte takimet në shtëpinë e City. Në jetë të jetëve nuk do ta pranonin tifozët e klubit të Realit të Madrdit t'ia huazonin" Santiago Bernabeun " Atleticos së Madridit apo Barcelonës. Pa iu kthye historisë, shembulli më i fundit është ai i 22 Majit të vitit të shkuar. Barcelona dhe Sevilla, dy skuadrat finaliste të Kupës së Mbretit kërkuan që takimi të zhvillohej pikërisht në "Bernabeu", duke e konsideruar si impiantin më të përshtatshëm jo vetëm për shkak të kapacitetit por edhe si fushë neutral. Përgjigjia e klubit madrilen ishte e prerë; JO, finalja nuk mund të zhvillohet në shtëpinë tonë, u kamuflua me " punime në stadium", por ishte e qartë, tifozët e Realit nuk pranuan kurrsesi që rivalët e përjetshëm të Barcelonës të luanin një finale në impiantin mitik të "Los blancos". Do të ishte e pakuptimtë që një ditë stadiumi i Celticut ti hapte portat e mirëseardhjes Glasgoë Rangersit, pa dashur të zbresim në ballkan, Olympiacos-Panathinaikos, apo Cervena Zvezda-Partizani i Beogradit. Shembuj të tillë ka në të gjithë botën, natyrisht nuk përmbyset bota nëse Partizani prek "Selman Stërmasi", por nuk është as mëkat të mos e duash "armikun" e shumë betejave brenda në shtëpinë tënde.
Pavarësisht gjithçkaje, të shkuarës me emrin "stadiumi Dinamo", mënyrës se si i kaloi klubit 24 herë kampion, me të drejtë apo pa të drejtë, sot ky impiant është i KF Tiranës dhe vetëm i KF Tiranës jo i qytetit. Ngjyrat bardheblu, të cilat e kanë dekoruar në çdo sektor nuk duhet të përzihen me asnjë nuancë tjetër, e kuqe apo çfarë do qoftë. Madje është e sigurt që nesër edhe mbështetësit e Partizanit do të " varnin turinjtë" nëse Tirana do të përvetësonte përkohësisht stadiumin që po ndërtohet rigorozisht i kuq. Nëse ka një të vërtetë në këtë botë është fakti që Partizani stonon me ngjyrat bardheblu.