Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OPINION

Opinion/ Rasti “Cikalleshi” si mesazh për të gjithë kuqezinjtë...

Shkruar nga NEWSPORT
Opinion/ Rasti “Cikalleshi” si mesazh për të gjithë

Nga Prof.Dr XHEVDET ZEKAJ

De Biazi e mbylli aventurën shqiptare duke lënë një “plagë” hapur: sherrnajën mediatike dhe thyerjen dypalëshe me Taulant Xhakën. Pasuesi i 60-vjeçarit nga Sarmede, edhe ai italian, mbylli plagën e sipërcituar, duke pranuar ndjesën e futbollistit, që kishte gabuar, por hapi një tjetër. Ndoshta jo në përmasat e precedentit “Xhaka”, që braktisi kombëtaren pas ndeshjes me Italinë, ngaqë nuk e pa veten titullar. Fjala është për rastin “Cikalleshi”. Sulmuesi shtatlartë njihet në karrierën e tij si korrekt, fjalëpak dhe punëshumë. Bashkë me Sadikun e Balajn përbëjnë repartin ofensiv të kuqezinjve. Mirëpo, kavajasi qëlloi në një ditë ters për të kërkuar diçka, që nuk honepsej dot nga Panucci.

Ky i fundit njihet për karakterin e ashpër qysh futbollist, ka marrë shumë nga disiplina dhe rregulli i Kapelos, ndihmës i të cilit ishte te Rusia. Me dorë të hekurt e nisi edhe në krye të kuqezinjve, si për të thënë se “këtu vendos unë”, si për ta bërë shembull Cikalleshin, që të tjerët ta marrin mesazhin njëherë e mirë. Në çdo sipërmarrje, sidomos kolektive, sikurse është një skuadër futbolli, rregulli dhe disiplina janë të parat. Pa to nuk ecet përpara, nuk arrihen objektiva.

Nëse njëri vjen në mëngjes në grumbullim, tjetri në drekë apo darkë, pavarësisht shkakut, duket sikur hyhet nga dera dhe dritarja, sikur je në një han. Prandaj, e konsideroj të drejtë vendimin e trajnerit të kombëtares për ta lënë jashtë dy kualifikueseve të radhës Cikalleshin. Kuptohet, kavajasi kuqezi do të jetë në sfidat e mëvonshme, sepse është një potencial luksi për Shqipërinë. Edhe mosndërhyrja e presidentit Armand Duka në këtë rast duhet përshëndetur. Trajneri është zot në kombëtare, ndaj vendimet e tij duhen respektuar.

Ka pasur mjaft zëra se presidenti i FSHF-së vendos për gjithçka në institucionin që drejton dhe në tërë zinxhirin e vartësve të tij, por sjellja e kësaj here na vërteton të kundërtën. Aq sa Duka, publikisht, doli në krah të trajnerit, duke nënvizuar se sulmuesi ka gabuar. Fatmirësisht janë gjëra që rregullohen dhe superohen me mirëkuptim, çka nuk i mungoi kavajasit, të cilit kreu i FSHF-së i kërkoi shpagim “një gol kundër Spanjes".

Tags:

OPINION

Poll

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga