
Olsi Rama është drejtori i ri i Partizanit. "De Juro", vëllai i kryeministrit nuk mund të marrë këtë post pasi ende nuk ka marrë licencën për "Drejtor Teknik", kurs të cilin do ta mbarojë në datën 16 dhjetor.
Megjithatë këtë post, "De Facto", Olsi Rama e ka marrë disa javë më parë. Newsport.al njoftoi ekskluzivisht që pas ndeshjes kundër Laçit, lojtarët e Partizanit u njohën me ultimatumin e vënë nga klubi, ku në 3 ndeshje duhej të merrnin 7 pikë dhe gjithashtu ngrirjen e 4 mijë eurove deri në arritjen e objektivit.
Ndryshe nga sa flitet, Olsi Rama ka qenë ai që u ka komunikuar futbollistëve vendimin. Madje newsport.al ka mësuar fjalët që drejtori i Partizanit ka thënë në mbledhje: "Më vjen keq që po prezantohem për herë të parë në këtë mënyrë para jush, po dua t'iu informoj vendimin që kemi marrë së bashku me drejtuesit e klubit. Në tre ndeshjet e ardhshme duhet të merrni minimalisht 7 pikë dhe deri në arritjen e këtij objektivi jeni të ndëshkuar me 4 mijë euro për secilin. Nëse grumbulloni këtë sasi pikësh, atëherë do të mund të merrni rrogat tuaja, pasi kjo shumë momentalisht do të "ngrihet" ", ka deklaruar ai.