Partizani ndodhet totalisht në krizë, teksa në fazën e tretë të kampionatit ndodhen 12 pikë larg kreut. Në tre ndeshjet e fundit Partizani ka marrë një barazim ndaj Bylisit në "Air Albania" dhe ka pësuar dy humbje në derbi ndaj Tiranës dhe e fundit me Teutën në "Selman Stermasi" 0-1. Tek të kuqtë është krijuar një situatë tepër e vështirë, ku ata që e vuajnë më shumë janë tifozët e skuadrës të cilët dëshirojnë sa më shpejt rezultatet pozitive.
Ish sulmuesi i Partizanit dhe një nga legjendat e futbollit shqiptar, Edmond Dosti ka reaguar në profilin e tij të Facebook duke kërkuar sa më shpejt zgjidhje. Në fjalën e tij Dosti thotë se tashmë gota është mbushur dhe drejtues apo trajner duhet të mbajnë përgjegjësi për situatën. Konkretisht Dosti I drejtohet presidentit Demi, drejtorit Olsi Rama dhe trajnerit Sormani.
"Presidenti Demi dhe Drejtori Rama ka dy zgjidhje ose ju të dy jepni dorëheqjen ose historia e Sormanit mbaroi. Gota sot u mbush përndryshe do të jetë shumë vonë. Tifozët i ka mbaruar durimi", shkruan Dosti.
