Trajneri i Bylisit, Arjan Bellai dha prononcimin e tij pas ndeshjes së fituar me Flamurtarin. Timonieri i ballshiotëve i kënaqet performancës së djemve të tij që kryesojnë bindshëm kampionatin, ndërsa nuk i intereson shumë rezultati i ndeshjes së nesërme mes Vorës dhe Elbasanit për sa kohë skuadra e tij fitoi.
“Sigurisht që jam i kënaqur për çunat dhe duhet t’i jap komplimentet më të mira sepse sakrifikojnë për të qëndruar këtu lartë, sepse nuk është e thjeshtë që të rrish këtu lartë dhe të të ndjekin ekipet e tjera. Punojnë shumë, sakrifikojnë shumë dhe këtë ja shpërblen fusha e lojës, ku dhe sot arritëm të fitonim në fushën tonë dhe të kemi atë distancën nga ekipet që na ndjekin si rivali kryesor që ishte sot, ekipi i Flamurtarit, edhe ekipet e tjera që vijnë nga pas.
Unë e di politikën e klubit, pasi dhe çunat që janë në pankinë janë çuna të rinj dhe ata mësojnë, punojnë dhe në të ardhmen do jenë pjesë e Bylisit, siç janë Trumçi, Abazaj e shumë futbollistë të tjerë. Kjo është politika e klubit dhe këtë vazhdon të bëjë presidenti. Ky është çelësi i suksesit, sepse këta çuna punojnë bashkë dhe bëjnë më të mirën në fushën e lojës.
Penalltia? Po sigurisht, ne vendosim se kush do gjuajë dhe korrnet e faullet. Sidomos dhe penalltitë, të cilat janë goditje shumë të rëndësishme, mund ta humbasësh, mund ta bësh. Ngaqë është Krasniqi më i sigurt, prandaj lejuam atë.
Për ndërrimin e Krasniqit, kishim një pauzë. Sigurisht një ekip kur humbet, si Flamurtari që futi futbollistë me tipare sulmuese, i pamë ndërrimet dhe pak nga loja e tyre. Zgjidhja ishte Krasniqi sepse kur mendon që diçka nuk shkon mirë duhet të dimë se çfarë duhet të bëjmë. Futëm një mbrojtës me eksperiencë. Mbyllëm mbrojtjen, futëm dhe Abazajn në qendër, që është një mbrojtës shumë i mirë në lojën në ajër dhe kështu u bëmë më të sigurt. Nuk luajtëm si në pjesën e parë, donim ta mbanim topin pak më shumë. U bë dhe goli me penallti pastaj dhe u bë ndeshja më e thjeshtë, e menaxhuam shumë mirë, pa rrezikuar Flamurtari. Gjithmonë punojmë për shënimin e golit, është një moment që duhet ta zgjidhin dhe vetë futbollistët pasi çdo trajner, deri te 16-shja mund t’i çojë, pastaj është intuata, mentaliteti e futbollistit të jetë i qetë për të shënuar. Kemi probleme në këtë aspekt, por sigurisht punojmë akoma më të qetë që të jemi në krye të klasifikimit.
Sigurisht që duhet të jemi modest, nuk duhet të fluturojmë, duhet të jemi me këmbë në tokë, duhen dhe 8 ndeshje që të mbyllet faza e dytë. Kemi shumë rrugë përpara për të bërë, duhet të punojmë ashtu siç punojmë çunat.
Sa herë mendon për distancën e pikëve dhe atë komoditetin mund të bësh gabim në atë ndeshjen e radhës. Ne nuk e shikojmë kështu. Duhet të punojmë për ndeshjen e kësaj jave në Berat dhe do jemi kokulur. Duhet të punojmë siç kemi punuar deri tani. Nuk duhet të jesh komod në futboll, pasi tre-pikëshi të lë katër, pastaj fillon vështirësohesh dhe vendosesh në presion.
Vora-Elbasani? Është një ndeshje që unë do e shikoj me shumë qetësi. Çfarë do rezultati të jetë nuk do më shqetësojë. Nëse nuk do të kishim fituar sot, do të doja që nesër të fitonte Elbasani” tha Bellai për “MCN”.