
Elseid Hysaj është fare pranë rinovimit me skuadrën e Napolit. Shkodrani shqiptar ka bërë një sezon të mrekullueshëm me skuadrën italiane, ndaj edhe ata nuk duan ta lënë të largohet. Në sezonin e fundit anësori i mbrojtjes përfitonte 500 mijë euro në sezon. Ai ishte lojtari që kishte më shumë minuta në këmbë nga ekipi i Napolit, por që përfitonte edhe më pak se të gjithë. Kjo është arsyeja që përfaqësuesi i legjionarit kuqezi do të ketë një takim me drejtuesit e skuadrës napolitane, ku do të kërkojë dyfishimin e pagës së lojtarit. Pra me shumë gjasa Hysaj do të paguhet një milion euro në sezon. 22-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane si Barcelona, Atletico Madrid, Arsenal apo Bayern Munich. Në diskutimin e kontratës për çështjen financiare, do të diskutohet edhe mundësia e rinovimit të kontratës deri në vitin 2021.