
Nga Denis Dyrnjaja
Peshëngritja Shqiptare ka qenë ndër dekada, ndër sportet elitare shqiptare. Emrat të rëndë, si Ymer Pampuri, Aleksandër Kondo, Mirian Hakani e shumë të tjerë, por edhe Pirro Dhima apo Luan Shabani pavarësisht se ndryshuan flamur e garuan për Greqinë e ngritën shtangën shqiptare në piedestal nderi e dinjiteti kombëtar e ndërkombëtar.
Vitet pas '90 nuk ndalën prodhimin e talenteve dhe me risinë e prezencës së suksesshme femërore, por tashmë fati dhe karriera e tyre varej nga menaxherët, nga të famshmit presidentë që për fatin e keq, e theksoj për fatin më të keq të sportit në Shqipëri janë njërëzit më mediokër dhe më të paskrupullt që mund të ekzistojnë e që e degraduan sportin dhe sportistët në mjerimin e skandaleve kombëtare.
Dhe peshëngritja është vetëm një pjesës e këtij mozaiku skandaloz sesi sporti dhe sportistët janë përdorur e keqpërdorur për interesa krejt personale dhe janë menaxhuar në mënyrën më të keqe e të dëmshme të mundshme.
Ngjarja me Romela Begajn që rezultoi sërish pozitive me antolidoping është prova më e fortë e degjenerimit të sportit në Shqipëri, e konceptit arkaik, provincialist dhe për interesa meskine individësh që krijojnë klane dhe i përdorin federatat si bastione dhe kooperacione private e personale. Shqipëria është plot me talente e njerëz vitalë, por ata janë të marrë peng nga "padronët" arkaikë dhe sahanlëpirësit që u rrinë për qark e që për interesa dhe axhenda personale kanë marrë dhe mbajnë peng sportistët, sportin, të ardhmen e tij dhe dinjitetin e Shqipërisë.
Një Megavetting nevojitet edhe në sport për ta çliruar nga vargonjtë e injorantëve që kujtojnë se sporti nis dhe mbaron te portofoli dhe deliri megaloman i tyre.
Ata kanë marrë peng të ardhmen e sportit dhe dinjitetin e Shqipërisë. Gjithkush prej nesh ndjen vetëm keqardhje për çdo sportist.
Ata janë lodra të keqpërdorura në çdo rast. Një frymë e re duhet të lindë në sport për t'i hapur rrugën zhvillimit pa tenxheret ku gatuhet çorba e qelbur e injorantëve, dallkaukëve, tallagjarëve e anadollakëve. Jepuni sportin, sportistëve, dhe të gjithë do të jemi të fituar dhe krenar.
Sporti nuk është i matrapazëve dhe mafiozëve. Keqardhje për djersën e Romela Begajt dhe çdo sportisti në ketë vend që është marrë peng!