Ky sezon për Granadan nuk po rezulton shumë i suksesshëm, pasi skuadra ku luan Myrto Uzuni duket shumë drejt rënies nga La Liga. Aktualisht mbajnë vendin e 19-të me 14 pikë pas 26 javësh, plot 10 pikë larg vendit të 17-të që të shpëton nga rënia.
Duke parë një situatë të tillë drejtuesit e Grandas po mendojnë të shesin disa lojtarë dhe në listë është edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare. Për beratasin në fakt ka interesime nga disa ekipe të tjera në Spanjë.
Bëhet fjalë për Sevillan, ekip ku luan edhe Sergio Ramos. Por jo vetëm kaq pasi edhe Betis po studion pistën e transferimit të Uzunit. 28-vjeçari ka kontratë të vlefshme me Granadan deri në qershor të vitit 2026 dhe shitja e tij do të mbushte arkat e klubit.
Në fakt drejtuesit shpresojnë që të shesin shqiptarin para fillimit të sezonit të ri, pasi me rënien në kategorinë e dytë spanjolle do t’i ulej ndjeshëm çmimi Uzunit dhe klubi nuk do të mund të merrte shifrën e dëshiruar. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me sulmuesin e kombëtares në muajt në vazhdim, teks diçka është e sigurtë që interesimet për të do të rriten në muajt në vazhdim.