
Sulejman Mema ka folur mbi paraqitjet e sulmuesve të Kombëtares, Muçi, Manaj dhe Broja të cilët kanë marrë vëmendjen kryesore mes legjionarëve. Sa i përket ftesës në Europian, Mema i beson zgjedhjes që do të bëjë Sylvinho, ndërkohë vlerëson cilësitë e Ernest Muçit.
“Transferimi te Besiktas më duket normal. Muçi është lojtar inteligjent. Një lojtar që di të luajë futboll, mund të përshtatet kudo.
Po, unë mendoj që i ka të gjitha mundësitë t’i shërbejë Kombëtares. Në momente të caktuara, ai do të jetë i domosdoshëm. Broja ka oshilacione, Muçi është i konsoliduar. Edhe nga stoli, Muçi mund të jetë i rrezikshëm.
Nuk po them se e meriton apo jo Rey Manaj ftesën. Ai ka luajtur edhe më përpara për kuqezinjtë. Trajneri Silvinjo do vendosë, besoj se do të marrë vendimin e duhur. Besoj se do të jepet zgjedhja e efektshme. Shpresoj që të mos ketë dëmtime, për shkak të impenjimit javë për javë.
Broja duhet të shikojë te vetja në radhë të parë. Nuk diskutohen vlerat e tij, pasi dihen. Broja duhet të impenjohet te Fulham për të paraqitur vlerat e tij”, deklaroi Mema në “News24”.